Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë protestës, 10 persona gjobiten nga policia
Dy shtetas shqiptarë janë identifikuar nga policia italiane pasi dyshohet se janë autorë të një sulmi të dhunshëm ndaj një burri, pranë stacionit hekurudhor të Faenzës, në provincën e Ravenna-s në Itali.
Mediat italiane shkruajnë se, ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e vonë të 26 tetorit, kur dy personat dyshohet se kanë sulmuar viktimën me një shufër metalike, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Për shkak të plagëve të marra, ndaj burrit është kërkuar ndërhyrja e shërbimit të urgjencës 118. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, atij i është dhënë një prognozë prej pesë ditësh.
Hetimet nisën menjëherë pas raportimit të ngjarjes nga efektivët e komisariatit të policisë së Faenzës. Megjithëse autorët nuk u gjetën në vendngjarje, policia mblodhi prova dhe dëshmi për të rindërtuar dinamikën e sulmit.
Pika vendimtare për zbardhjen e rastit ishte analiza e pamjeve të kamerave të sigurisë, të instaluara brenda dhe përreth stacionit hekurudhor. Duke krahasuar pamjet filmike me të dhënat e mbledhura në vendngjarje, hetuesit arritën të rindërtonin lëvizjet dhe dinamikën e plotë të agresionit, si dhe të identifikonin dy personat e dyshuar, të cilët rezultuan me shtetësi shqiptare.
Në përfundim të hetimeve, të dy janë referuar në gjendje të lirë në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Ravenës, nën akuzën e plagosjes së rëndë në bashkëpunim. Procedimi penal ndaj tyre vijon, ndërsa përgjegjësia përfundimtare do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.
Top Channel