Soros thotë se pushtimi i Rusisë në Ukrainë është nisja e Luftës III Botërore (fotot)

24/05/2022 21:51

“Kina e Rusia përfaqësojnë sot kërcënimin më të madh për shoqërinë e hapur”, tha Soros

Financieri miliarder George Soros ka thënë sot se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës mund të jetë nisja e Luftës së Tretë Botërore, prandaj sipas tij “forcat e Vladimir Putin duhen mundur patjetër  që Perëndimi të ruajë civilizimin e lirë”.

Soros, më shumë se 90-vjeçar, u bë i famshëm kur spekuloi dhe fitoi kundër paundit britanik në bursat e vitit1992, teksa e përshkruante luftën në Ukrainë si “pjesë e një përpjekjeje më të gjerë ndaj shoqërive si Rusia e Kina që janë duke u fuqizuar”.

“Pushtimi mund të jetë nisja e Luftës së Tretë Botërore dhe civilizimi ynë mund të mos i mbijetojë,” ka thënë Soros në forumin e Davos, sipas një teksti të publikuar nga zyra e tij.

“Prandaj ndoshta mënyra më e mirë për të ruajtur perëndimin është të mundim Putin sa më shpejt që është e mundur. Kjo është thelbi”, shtonte ish-spekulanti financiar i kthyer në politikan “eksportues demorkacie” në vendet e prapambetura.

Jerusalem Post citonte Soros te shtonte se plani i Putin nuk po shkon si ai kishte parashikuar dhe tani mund të jetë gati të negociojë një armëpushim.

Por nuk ishte diçka e pëlqyeshme për krijuesin e fondacionit Shoqëria e Hapur.

“Armëpushimi gjithsesi nuk arrihet sepse te ai nuk mund të kesh besim. Sa më i dobët të bëhet Putin aq më i paparashikueshëm bëhet”.

Soros tha e Bashkimi Evropian e kuptonte se Putin duhet të ndalonte gazin rus, edhe pse furnizimi përbën 40% të nevojave të Evropës. “Kjo lëndon shumë”, tha Soros.

Pushtimi rus i Ukrainës që prej 24 shkurtit ka vrarë mijëra vetë, ka prodhuar miliona të zhvendosur dhe po shkakton konfrontimin bërthamor më serioz që prej krizës kubane të raketave në 1962.

Megjithse Putin thotë se SHBA po shfrytëzon Ukrainën për të kërcënuar Rusinë me zgjerimin e NATO-s, Perëndimi thotë se këto janë pretekste të pabaza për të pushtuar një vend sovran.

Soros përkufizonte Rusinë, vendin me hapësirën më të madhe në botë, dhe Kinën, ekonominë e dytë më të madhe të botës, si kryesueset e një grupi vendesh me “shoqëri të mbyllura”.

“Regjimet shtypëse janë në rritje ndërsa shoqëritë e hapura po rrethohen. Kina e Rusia janë kërcënimet më të mëdha për shoqëritë e hapura”, tha Soros, megjithse vendet perëndimore kanë parë protesta masive kundër politikave të pandemisë, diskriminimit dhe kontrollit të të dhënave personale të qytetarëve.

Kina ka refuzuar kritikat duke i quajtur kritikat “mendësi e skaduar koloniale e Perëndimit” dhe mbrohet duke thënë se ka nxjerrë nga varfëria më shumë se 800 milionë njerëz.

Soros kritikonte politikat  ‘zero-COVID’ të presidentit Xi Jinping, duke thënë se çuan Shanghain drejt “rebelimit të hapur.”

Bashkë me politikat e COVID, Soros parashikonte dhe zhvillimet në politikën e brendshme të Kinës duke thënë se Xi ka bërë shumë gabime që i kanë kushtuar shumë në influencën brenda partisë.

“Ndryshe nga pritshmëritë Xi Jinping mund të mos fitojë mandatin e tretë prej gabimeve që ka bërë, por edhe nëse e merr nuk do të ketë dorën e lirë për të zgjedhur anëtarët e ardhshëm të Byrosë Politike”, tha financieri i politikës globale.

FOTO GALERI
2/3
"Pushtimi mund të jetë nisja e Luftës së Tretë Botërore dhe civilizimi ynë mund të mos i mbijetojë," ka thënë Soros

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA