Ultrasit e Romës kanë mbërritur  në vendin tonë. Mëngjesin e sotëm me tragetet e linjës së Barit në Durrës erdhën rreth 100 tifozë, mes të cilëve 35 janë ultras të Romës. 

Përveç tyre një grup tjetër pritet të mbërrijë në Rinas sot dhe të gjithë ultrasit do të akomodohen në Durrës.

Destinacion final kanë kryeqytetin për të ndjekur ndeshjen në stadium për ata që kanë bileta ose në fan zonat e ndara për të dyja ekipet, Roma tek amfiteatri i liqenit dhe Feynord tek pedonalja.

Policia bashkiake ka nisur me vendosjen e shiritave në disa rrugë të caktuara të kryeqytetit, të cilat do të kthehen në parkingje të dedikuara për autobusët e tifozëve të Romës dhe Feynordit. Devijimi i përkohshëm do të zgjasë deri më 25 maj.

“Me kërkese te përfaqësuesve të UEFA, policia bashkiake po krijon dy zona per autobusët dhe mjetet e  tifozërive të dy ekipeve. Te rruga Kosovareve, Liman Kaba dhe Skënder Luarasi do jenë zona të lira për parkimin e tifozëve te Romes. Ndërsa ne bulevardin Bajram Curri dhe bulevardin Zhan D’Ark po krijohen dy zona per tifozërine e Feynord”, tha Gentian Vocaj, shef i sektorit të qarkullimit në Policinë Bashkiake.

Makinat që janë zhvendosur nga policia bashkiake për të liruar hapsirat, qytetarët mund ti gjejnë pranë kompleksit të pishinave tek diga e liqenit.

“Jemi duke lëvizur vetëm mjete e parkuara për të krijuar vend të lirë për parkim. Atyre qe u është lëvizur mjeti do shkojnë të kompleksi i pishinave pasi aty do gjejnë mjetin e tyre. Ju bej thirrje qytetarëve të na mirëkuptojnë dhe bashkëpunojmë me lirimin e parkimeve pasi kjo është feste e madhe për Tiranen dhe eveniment i rrallë, ta kthejmë në ditë feste dhe jo stresi”, shton Vocaj.

Policia bashkiake do të jetë e vendosur edhe në tre fan zonat që do ketë në kryeqytet gjatë ditës së finales së madhe mes Romës dhe Feynord.

Top Channel