Pas 11 vitesh Milan fiton titullin kampion të Seria A, i 19-ti në historinë e “Djallit”, në një sezon shumë të luftuar dhe me konkurrencë të lartë nga rivalët e përjetshëm, Inter, deri në takimin e kësaj të dielë.
“Kuqezinjtë” triumfuan “Mapei Stadium” ndaj Sassulos me rezultatin 0-3, në një ndeshje që ishte shumë e luftuar nga të dyja anë, duke u dhuruar festën dhe triumfin pas më shumë se një dekade tifozerisë së tyre.
Golat në takimin e Milan në transfertë ndaj Sassuolos, u shënuan të tre në pjesën e parë me Giroud që zhbllokoi rezultatin në minutën e 17’ falë një asisti nga Leao dhe më pas në minutën e 32’ po ky kombinim e çoi rezultatin në 0-2, pra Giroud shënoi golin e dytë falë një tjetër asisti nga Leao.
Golin e tretë për “Djallin” e realizoi Kessie në minutën e 36’, ku edhe këtu asisti u dhurua nga Leao. Kessie mbylli kështu në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën te Milan, pasi sezonin e ardhshëm do të luajë me Barcelonën. Në fraksionin e dytë të ndeshjes nga të dyja skuadrat u tentua të gjendej goli, por ky 45 minutësh u mbyll pa gola.
Kështu Milan mbyll sezonin 2021-2022 të Seria A në kuotën e 86 pikëve, teksa Inter i vendit të dytë, i cili fitoi me rezultatin 3-0 ndaj Sampdorias, mbylli këtë edicion në vendin e dytë me 84 pikë.
Top Channel