Ukraina urdhëron të dorëzohen ushtarët e mbetur në tunelet e metalugjikut të Mariupol (fotot)

20/05/2022 15:28

Regjimenti Azov i Ukrainës ka thënë sot se komanda ushtarake ka dhënë urdhrin për të ndaluar mbrojtjen e impjantit të rrethuar metalugjik të Mariupol.

Batalioni i frikshëm i të djathtës ekstreme së bashku me marinsat ukrainas, janë ngujuar në sistemin e gjerë të tuneleve të Azovstal prej gati tre muajsh.

Raportimet e sotme thonin se komandantët kanë urdhëruar ndalimin e rezistencës me qëllim “të shpëtojnë jetën e ushtareve”, shkruan e përditshmja britanike Metro.

Zhvillimi vjen pak pas raportimeve se më shumë se 1000 ushtarë ukrainas të impjantit ishin dorëzuar te forcat ruse.

Gjithashtu dhjetra civilë janë evakuar nga impjanti prej fillimit të muajit, me ndihmën e Kryqit të Kuq, por një pjesë kanë mbetur brenda duke refuzuar të dorëzohen.

Një deklaratë video e sotme e komandantit të regjimentit Azov tha se mes të evakuarve nga tunele e impjantit ishin civilët dhe ushtarët e plagosur rëndë.

“Kemi theksuar vazhdimisht tre kushtet më të rëndësishme për ne: civilët, të plagosurit dhe të vdekur”, tha komandanti Denys Prokopenko.

“Civilët janë evakuar, të plagosurit po marrin asistencën e nevojshme dhe po evakuohen nga rusët, për t’u kënbyer më vonë dhe të kthehen në territorin e kontrolluar nga Ukraina”, shtoi ai.

Prokopenko shtoi se procesi i largimit të të vdekurve nga impjanti i Azovstal është ende në vijim.

“Shpresojmë që në të ardhmen të afërmit e tyre të mund të varrosin me nder ushtarët”.

Impjanti metalurgjik ka një labirint të gjerë tunelesh nëntokësore që janë kthyer në bastionin e fundit të ushtrisë së Ukrainës në Mariupol. Rusia thotë se në të gjenden laboratore biologjike te financuara nga SHBA, por Ukraina refuzon pretendimet.

Porti i Mariupol është një pikë kryesore lidhëse mes gadishullit të Krimesë dhe lindjes së Ukrainës.

Batalioni Azov ka marrë me luftë qytetin nga zyrtarët pro-rusë pas ndërrimit të pushtetit dhe aneksimit të Krimesë në 2014.

FOTO GALERI
3/5
Një pjesë kanë mbetur brenda duke refuzuar të dorëzohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA