Finalja e Conference Leagues është kryefjala e shqiptarëve në këto ditë të fundit të majit kur afrohet edhe data 25, kur në stadiumin “Air Albania” do të përballet Roma dhe Fyenoord-i për një nga kupat europiane të kompeticioneve të klubeve.

Masat e marra, si asnjëherë më parë për një ndeshje futbolli dhe vendimet e qeverisë për ta bërë pushim ditën e finales, tregojnë edhe një herë vëmendjen e madhe që ka ky aktivitet. Në të njëjtën kohë kufizimet e lëvizjeve për automjetet kryesisht në ditën e ndeshjes, kanë krijuar një lloj konfuzioni tek qytetarët për të cilat sqaron më shumë zëvendës ministri i brendshëm Ervin Hodo.

Kujtojmë që Tirana atë ditë do të jetë tërësisht e impenjuar për mbarëvajtjen e eventit kështu që shumë zona do të jenë si në ditën pa makina. Ju e keni parë qe edhe qeveria e ka shpallur pushim atë datë që të gjithë qytetarët e Tiranës të kenë mundësinë ta shijojnë këtë festë. Kërkojmë mirëkuptimin dhe besoj e kemi mirëkuptimin e tyre për zhvillimin sa më të mirë të këtij eventi dhe kësaj feste të madhe që përgatitet për në Tiranë”.

Pavarësisht masave të marra Hodo thekson se jo çdo gjë do të jetë e paralizuar në kryeqytet.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që jeta do të vazhdojë normalisht dhe jo të gjitha rrugët do të jenë të bllokuara, por aksesin në pjesën më të madhe të Tiranës do të lejohet vetëm për këmbësorët dhe vetëm për mjetet e nevojës, pra urgjencat, zjarrfikëset dhe mjetet e policisë së shtetit”.

Ndërkaq për një informacion më të detajuar sa i përket qarkullimit në kryeqytet do të jetë policia rrugore ajo e cila në orët në vazhdim do të bëjë publike mënyrën e qarkullimit dhe akset e bllokuara në Tiranë.

 

 

Top Channel