Në një moment kur duket se Greqia po hyn në një periudhe zgjedhore, megjithëse konservatorët dhe kryeministri Mitsotakis, ripërsërisin se zgjedhjet do të bëhen në pranverën e vitit tjetër, të Majtët kanë rizgjedhur në krye të partisë opozitare Syriza, liderin e tyre Aleksis Tsipras, për herë të parë në historinë e tyre me pjesëmarrje të hapur.
Por votimi i kësaj të diele, ku vërtet nuk kishte rival të dytë për lidershipin e partisë që kërkon të rivijë në pushtet, dha një mesazh shpresëdhënës për të majtët pasi kanë trefishuar numrin e anëtarëve të partisë së tyre, nga 61.000 në 2019, në 172.000, duke u bërë siç ka theksuar Aleksis Tsipras =, një nga partitë më të mëdha të së Majtës në Europë.
Megjithëse të gjitha sondazhet i rendisin në vendin e dytë të Majtët me rreth 22-23%, me një diferencë nga 5 deri në 10 pikë nga konservatorët që kryesojnë, në kampin e partisë Syriza janë të bindur se në çfarëdo momenti që të bëhen zgjedhjet, do të fitojnë.
Aleksis Tsipras lideri i Syriza-s: Është angazhimi im personal. Me unitet dhe ndjenjën e thellë të përgjegjësisë do të bëjmë gjithçka për të sjellë fitoren e re të popullit tonë. Të kthejmë shpresën dhe drejtësinë në atdheun tonë.
Kryesisht Radikalët e Majtë, duke treguar pakënaqësinë e grekëve, kritikojnë ashpër qeverinë Mitsotakis, për menaxhimin e pandemisë ku Greqia regjistroi numër të madh humbje jetësh në krahasim me vendet europiane, si dhe për politikën e jashtme.
Por sidomos i shigjetojnë për paftësinë ,siç ata e konsiderojnë, mënyrën e përballimit të krizës energjitike ,që e ka çuar Greqinë të jetë një nga vendet e para në Europë , për çmimet më të shtrenjta të gazit natyror, të energjisë elektrike dhe të karburantëve ,duke regjistruar në pesë muajt e fundit edhe shifra rekord të inflacionit në këto tre dekada.
Duket gjithashtu se Syriza dëshiron të përfitojë nga momenti në të gjithë spektrin politik të BE-së, duke marrë parasysh rritjen e forcave progresive, socialistët dhe të Gjelbërit, ndërsa partitë konservatore të krahut të djathtë po shemben në të gjithë bllokun.
Top Channel