Putin thotë se Rusia ‘do të reagojë’ nëse NATO shton forcën ushtarake të Finlandës e Suedisë (fotot)

16/05/2022 17:55

Duke folur sot në Moskë në samitin e Organizatës së Sigurisë Kolektive (CSTO) të drejtuar nga Rusia, Vladimir Putin tha se zgjerimi i NATOs është një problem për Rusinë, prandaj vendi duhet të shohë nga afër atë që përshkruante si planet e aleancës së drejtuar nga SHBA për influencë globale.

Putin shtoi se Rusia nuk ka probleme me Finlandën e Suedinë, por paralajmëroi se Moska do të veprojë ndaj një zgjerimi të infrastrukturës ushtarake në territoret e tyre, teksa dy vendet nisin hapat për bashkimin me NATO.

Finlanda ka një kufi tokësor prej 1,300km me Rusinë ndërsa Suedia ka kufi detar me të.

Deri tani dy vendet mendonin se aderimi në NATO do të ishte një provokim i panevojshëm për Moskën.

Por me sa duket politika ndryshoi pas sulmit rus ndaj Ukrainës.

Putin tha se zgjerimi i NATO po shfrytëzohet nga SHBA në mënyrë “agresive” për të përkeqësuar situatën e vështirë globale të sigurisë.

“Se çfarë reagimi do të jetë – kjo do të zgjidhet në varësi të kërcënimeve që do të krijohen për ne. Janë duke u krijuar probleme pa asnjë arsye, dhe ne do të reagojmë respektivisht ndaj tyre,” tha zoti Putin.

Në të njëjtin takim presidenti bjellorus Alexander Lukashenko nxiti anëtarët e tjerë të aleancës CSTO të qëndrojnë të bashkuar dhe akuzoi Perëndimin se po përpiqet të zgjasë konfliktin për të dobësuar sa më shumë Rusinë.

Në lidhje me sanksionet Lukashenko tha: “Pa një front të bashkuar, Perëndimi do të vijojë të shtojë presionin ndaj të gjithë hapësirës post-sovjetike”, tha ai në komentet televizive që i drejtoheshin Putin dhe liderëve të Armenisë, Kazakistanit, Kirgizstanit e Taxhikistanit.//SkyNews/

FOTO GALERI
2/3
Putin shtoi se Rusia nuk ka probleme me Finlandën e Suedinë, por paralajmëroi se Moska do të veprojë ndaj një zgjerimi të infrastrukturës ushtarake

Top Channel