Nga Atalanta te Atalanta. Franck Kessie do të luajë për herë të fundit në “San Siro”, përpara tifozerisë “kuqezi” në sfidën përballë Atalanta-s, ish të kaluarës së tij.

25-vjeçari nuk pranoi rinovimin me “Djallin” dhe nga sezoni i ri do të veshë fanellën e Barcelonës, duke mbyllur aventurën e tij me Milan pas 5 sezonesh. Gjithsesi, Kessie ka mundësinë e artë për ta mbyllur me “kuqezinjtë” në mënyrën më të mirë të mundshme, me titullin kampion, pasi në lojë kanë mbetur edhe 180 minuta.

Një sezon jo i lehtë në aspektin personal për mesfushorin nga Bregu i Fildishtë, pasi marrëdhënia e tij me tifozët u kris sepse këta të fundit u acaruan për mos rinovimin dhe lojtari në fund të sezonit do të largohet me parametra zero. Pavarësisht luhatjeve, Kessie ka mbajtur shpesh edhe shiritin e kapitenit, ndërsa në sfidën e fundit të sezonit në shtëpi, në “San Siro”, populli “kuqezi” është përgatitur për ta përshëndetur në mënyrën më të këndshme të mundshme dhe kjo mund të marrë të tjera ngjyra në rast të një suksesi ndaj Atalanta-s.

Franck Kessie është pjesë e Milan-it nga vera e vitit 2017, pasi u largua pikërisht nga Atalanta dhe në pesë sezone, në të gjitha kompeticionet, mesfushori numëron 221 ndeshje dhe 36 gola./ SuperSport

Top Channel