Përgatitjet për eventin dhe aktivitetet e parashikuara – Përgatitjet janë të shumta, aktivitetet janë masive. Parashikohet që çdo njeri që do të zbresë në Shqipëri në ato ditë do të kuptojë që ka të bëjë me një event madhor, duke nisur nga aeroporti, deri në pikat kryesore të qytetit.

Brandimi do të nisë që nga aeroporti dhe do të vazhdojnë përgjatë Rrugës së Durrësit dhe më tutje do të kemi Sheshin Skëndërbej që do të jetë i gjithi i përgatitur për mikpritjen e tifozëve dhe simpatizantëve të futbollit. Bulevardi do të ketë një dekorim të veçantë dhe më tej edhe stadiumi, që është arena kryesore e këtij aktiviteti. Përveç këtyre do të ketë edhe dy pika takimi të tifozëve, Fan Meeting Points, ku do të takohen tifozët e dy klubeve të Romës dhe Feyenoord.

“Fan Festival” në Sheshin Skënderbej – Sa i përket sheshit Skënderbej, aty do të jetë vendi kryesor ku do të zhvillohen aktivitetet. Do të ketë lojëra të organizuara posaçërisht për fëmijët, një fushë futbolli ku të gjithë njerëzit do të luajnë futboll në shesh, aktivitete të tjera për fëmijët dhe të rriturit.
Trofeu i parë i kompeticionit – Do të ketë ekspozimin e trofeut të vërtetë në këtë shesh, që do të jetë i ruajtur me Security të veçantë dhe do të vendoset në një skenë dhe njerëzit mund të shkojnë pranë tij dhe të bëjnë fotografi.

Darka zyrtare me të ftuarit ndërkombëtarë – Pjesë e veçantë e këtij organizimi do të jetë edhe darka gala ose thënë ndryshe darka zyrtare e aktivitetit. Është një organizim unik që nuk është bërë më parë në Shqipëri në këto përmasa. Darka do të zhvillohet në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe do të ketë një skenografi të veçantë, të menduar posaçërisht për këtë mbrëmje. Pjesëmarrësit do të jenë të niveleve të larta, duke nisur nga UEFA, si palë organizatore e kësaj finaleje, Presidenti Ceferin, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, sponsorë, si dhe pjesëmarrja nga Federata që do të jetë e niveleve më të larta, Presidenti Duka, Sekretari i Përgjithshëm si dhe të ftuar të tjerë dhe pjesëmarrja nga politika shqiptare do të jetë e niveleve më të larta. Kryeministri Rama do të jetë i ftuar, disa ministri etj.