Lituania e shpall Rusinë autore të terrorizmit: Pushtimi i Ukrainës është gjenocid

10/05/2022 17:20

Parlamenti i Lituanisë ka miratuar ditën e sotme një rezulotë që e shpall pushtimin rus të Ukrainës një “gjenocid” dhe Rusinë një autor të terrorizmit.

E miratuar unanimisht, rezoluta akuzon forcat ushtarake ruse për shënjestrim të qëllimshëm dhe sistematik të objektivave civile, duke e shpallur Rusinë një shtet që mbështet dhe kryen terrorizmin.

Lituania bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të hetuar krimet e dyshuara të luftës ruse në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se vendimi është një njohje e realitetit dhe jep shtysë për hetime të mëtejshme ligjore mbi situatën.

Në reagimin e tij të parë ndaj kalimit unanim të rezolutës, Landsbergis tha se përcaktimet duhet të ndiqen nga hetime, të tilla si ato që kryhen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Ne nuk kemi parë asgjë të tillë që nga Lufta e Dytë Botërore, kështu që kjo mund t’i japë shpejtësi shtesë hetimit dhe burimeve që ata kërkojnë.”tha Landsbergis, i cili vuri në dukje se Lituania ishte një nga vendet e para që u dha ndihmë financiare hetuesve.

Landsbergis tha se komuniteti ndërkombëtar jo vetëm që duhet të punojë për të forcuar mekanizmat që synojnë përgjegjësinë për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, por ndoshta të kërkojë të reja sepse Rusia e ndryshoi realitetin me sulmin e saj ndaj Ukrainës.

“Ne kishim besim se pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtuam mekanizmin që duhet të fuqizojë këtë koncept ‘kurrë më’. Është e qartë se mekanizmat nuk ishin të mjaftueshëm. Dhe kështu ne me të vërtetë duhet tani të fillojmë të punojmë për forcimin e këtyre mekanizmave, “tha ai

 

Top Channel