Laçi për të vulosur Europën, Kastrioti paralajmëron “turn over”

08/05/2022 09:44

Java e 33-të e “Abissnet Superiore” vendosë përballë Laçin dhe Kastriotit, me kurbinasit që do të kërkojnë të vijojnë ecurinë pozitive, ndërsa krutanët prezantohen pas humbjes në Korçë.

Skuadra e Shpëtim Duros ka gjetur ritmin e duhur, me 7 pikë në tre ndeshjet e fundit dhe për më tepër, kurbinasit nuk kanë pësuar, ndërsa në këtë javë, një sukses i plotë do të ishte një hap praktikisht i sigurt për të “blinduar” vendin e dytë në kampionat.

Laçi mori një sukses bindës javën e kaluar në transfertë ndaj Egnatias, me dy gola të Guindo-s, i cili tashmë ashtu si skuadra, ka një “mision” personal, të ruaj vendin e parë në listën e golashënuesve.

Në krahun tjetër, Kastrioti dhe Emiljano Ccela do të kërkojnë kthesën, pasi krutanët u ndalën në Korçë nga Skënderbeu, duke pësuar humbjen e parë pas 26 shkurtit. Gjithsesi, pavarësisht disfatës, edhe në këtë javë Kastrioti prezantohet si skuadra më në formë e momentit dhe krutanët ende nuk i kanë mbyllur llogaritë me mbijetesën.

Një triumf në Laç, mbijetesa për Kastriotin më pas do të ishte thjeshtë një çështje formalizmi. Në tre fazat e para, Laçi ka dominuar ndaj krutanëve, me dy fitore ndërsa sfida e fazës së tretë u mbyll pa fitues, ndërsa në ndeshjen e parë të luajtur në stadiumin e Laçit, kurbinasit triumfuan pastër 2-0, ndërkohë në 13 ndeshjet e fundit si vizitorë, Kastrioti nuk ka shijuar asnjë fitore, vetëm tre barazime, i fundit në nëntorin e vitit 2020.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA