Merr fund pritja, Uzuni vjen nga stoli dhe gjen golin e parë në Spanjë

07/05/2022 19:40

Iu deshën 12 ndeshje dhe shumë mundësi të shpërdoruara para se Myrto Uzuni të festonte golin e parë në elitën spanjolle, La Liga.

Sulmuesi i kombëtares vulosi fitoren e Granadës në transfertë ndaj Mallorcës së Vedat Muriqit me rezultatin e thellë 2-6.

Futbollisti i kombëtares nuk e nisi këtë ndeshje nga minuta e parë ndërsa u aktivizua në të 62-tën. Megjithatë, Uzuni e shfrytëzoi në maksimum shansin e rezervuar nga trajneri Aitor Karanka dhe festoi një gol që me siguri do ta mbajë mend gjatë.

Sa i takon skuadrës së beratasit, Granada mori një fitore të çmuar dhe falë këtij trepikëshi i largohet zonës së ftohtë ndërsa tashmë renditet në vendin e 16-të me 34 pikë, ndërsa parakaloi pikërisht Mallorcën që mbetet në kuotën e 32 pikëve.

Ndërkaq, për t’u përmendur edhe fakti se protagonist për Mallorcan ishte Vedat Muriqi i cili asistoi në golin e parë, ndërsa krijoi disa mundësi gjatë 90-minutëshit./ Super SPort

Top Channel