Dygolësh historik, Lukaku ndryshon “prefiks”! Broja nuk “ndez” sërish

07/05/2022 18:35

Romelu Lukaku shënoi një dygolësh për Chelsea, duke u ngjitur në kuotën e 200 golave me klube në kampionatet ku ka luajtur.

Ekipi i Thomas Tuchel nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 përballë Wolves.

Pjesa e parë u mbyll pa gola në “Stamford Bridge”, me Loftus-Cheek që gjeti rrugën e rrjetës, por VAR-i e anuloi. Më pas Lukaku “show”: në fillim me penallti (56’), pas dy minutash një tjetër gol pas asistit të Pulisic.

“Ujqit” reaguan edhe evituan humbjen falë golave të Trincao (79’) dhe Coady (90+7’). Armando Broja luajti të plotë takimin Brentford-Southampton, që u mbyll 3-0 për vendasit.

Sulmuesi i kombëtares kuqezi rrezikoi në 2-3 raste, por pa arritur dot te goli. Jansson, Wissa dhe Ajer shënuan për Brentfordin, sfidë ku Christian Eriksen dhuroi një asist.

Aston Villa triumfoi 1-3 në fushën e Burnley, me ekipin vendas që rrezikon të parakalohet nga Leeds United dhe Everton në betejën mbijetesë. Në takimin tjetër, Wilfried Zaha vendosi me penallti sfidën Crystal Palace-Watford (1-0)./Super Sport

Top Channel