Rrëzimi i mistershëm i avionit me dy të kërkuar për vrasje zgjeron hetimet në Kanada (fotot)

06/05/2022 18:03

Hetimet mbi rrëzimin e mistershëm tre ditë më parë të një avioni të vogël në një zonë malore të Kanadasë, zbuluan se dy nga katër pasagjerët e tij, ishin të kërkuar për akuza vrasjeje dhe konspiracioni.

Rrëzimi i papritur mjetit ajror në mot të qetë, ka nisur një hetim federal për shkaqet e mundshme të aksidentit.

Por zbulimi se dy pasagjerë të tij po i largoheshin akuzave për vrasje dhe konspiracion kanë thelluar misterin për fluturimin fatkeq dhe zgjeruar gamën e motiveve të rrëzimit.

Në fundjavë grupet e shpëtimit u nisën pas marrjes së sinjalit të aksidentit në zonat pyjore në veri-perëndim të Ontario.

Avioni katër-vendësh Piper PA-28 Cherokee, u zbulua i rrëzuar pranë qytezës së Sioux Lookout, prej sinjalit të vendndodhjes së emergjencës së mjetit.

Si piloti Abhinav Handa, dhe tre pasagjerët e tij, nuk mbijetuan nga aksidenti, shkruan britanikja The Guardian.

Mes pasagjerëve ishte Gene Lahrkamp, një nga më të kërkuarit në Kanada me shpërblim 100,000 dollarë kanadezë ($78,000) të vendosur mbi kokën e tij.

Lahrkamp, ish-ushtarak, ishte i dyshuari kryesor në vrasjen një kreu bande Jimi Sandhu, i vrarë në shkurt në Tailandë.

Sandhu, i lindur në Indi por rritur në rajonin kanadez British Columbia, ishte deportuar në Indi në vitin 2016 për aktivitet të rëndë kriminal, kryesisht në prodhimin e shpërndarjen e drogave të forta.

Policia tailandeze thotë se Lahrkamp dhe bashkëpunëtori i tij Matthew Dupre, gjithashtu ish-ushtarak, udhëtuan drejt Tailandës për të vrarë Sandhu, trupi i të cilit u gjet i mbushur me plumba.

Vdekja e Sandhu shënon ngjarjen e dytë të këtij lloji në vend, teksa në janar dy bura nga Toronto të lidhur me grupin e motoristëve ‘Hells Angels’ u vranë në rezortin Playa del Carmen në Meksikë.

Në avionin e rrëzuar ishte gjithashtu Duncan Bailey, një tjetër anëtar bande që përballje me akuza vrasjeje në 2020 në Vancouver.

Personi i katërt u identifikua si Hankun Hong, rezident i British Columbia pa probleme me ligjin, i cili besohet se mund të ishte ndihmës-pilot, prej eksperiencës së tij.

Zyrtarët thanë se vijojnë hetimet mbi itinerarin e avionit dhe lidhjet e mundshme mes pasagjerëve.

FOTO GALERI
2/3
Avioni katër-vendësh Piper PA-28 Cherokee, u zbulua i rrëzuar pranë qytezës së Sioux Lookout

Top Channel