Derbi i Tiranës do të luhet në Elbasan/ Tirana dhe Partizani do të përballen në fund të kampionatit

06/05/2022 15:18

Derbi i kryeqytetit është ndeshja më e madhe e futbollit shqiptar dhe mund të rezultojë ndeshja edhe vendimtare e verdikteve të këtij sezoni.

Bardheblutë në prag të festimit të titullit të 26-të të këtij sezoni kanë treguar luhatje në rezultatet e fundit, ku kanë regjistruar dy humbje dhe një barazim, çka ka ulur disi entuziazmin, megjithatë trajneri Orges Shehi thekson se kjo do të jetë ndeshja e rikthimit.

“Këto javët e fundit nuk jemi ku duhet, por do të rikthehemi ku ishim për tifozët dhe për veten”, tha trajneri.

Ndërkohë nuk ka ndërmend Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit të bëjë llogaritë e Tiranës në një kohë kur skuadra e tij ka një objektiv për të arritur që është zona europiane.

“Nuk mund të mendojmë se atyre i duhet fitorja për titullin dhe ne për kupat e Europës, kjo s’ka rëndësi fare”, tha Dritan Mehmeti.

Megjithatë në kampin bardheblu nuk e shohin veten të barabartë në prag të kësaj sfide.

“Partizani ka avantazh se ka pasur 24 orë më shumë se ne për të përgatitur lojtarët”

“Tirana ka pika të forta, por ka edhe të dobëta, ne kemi element që mund t’i godasim.”

Shtyrja e festës së titullit kampion për rreth 3 javë ka sjellë edhe një reagim jo të mirë të tifozërisë së Tiranës, pavarësisht se në kampin e bardheblu janë të sigurt se festa është çështje kohe.

“Kur je në këto pozita ka gjithmonë shumë pritshmëri, dhe tifozët kanë të drejtë, duhet të kthejmë entuziazmin kryesisht për tifozët”

Ndërkohë që për shkak të mungesës së stadiumit të tyre dhe mbylljes së Air Albania për shkak të finales së Conference Leagues kjo ndeshje do të luhet në Elbasan Arena.

“Do të ishte më mirë në ‘Selman Stermasi’ se ne e kemi fat stadiumin e bashkisë.”

Top Channel