Kisha ruse dënon komentet ‘e gabuara’ të Papa Françeskut për mbështetjen ndaj Putin (fotot)

04/05/2022 18:47

Kisha ortodokse ruse ka kritikuar sot Papa Françeskun për ‘tone të gabuara’, pasi një ditë më parë kishte nxitur Patriarkun Kirill të mos bëhej “ndihmësi i altarit i Kremlinit”, duke paralajmëruar Vatikanin se komente të tilla dëmtojnë dialogun mes kishave.

Françesku tha dje për të përditshmen italiane ‘Corriere della Sera’ se Kirill, i cili ka dhënë mbështetjen e tij për sulmin në Ukrainë, “nuk mund të bëhet ndihmësi i altarit të [Presidentit Vladimir] Putin”, duke iu referuar me ironi djemve të rinj që ndihmojnë priftërinjtë gjatë meshave në altar.

Kisha ruse tha se ishte për të ardhur keq që një muaj e gjysmë pasi Françesku dhe patriarku Kirill, ishin takuar në Moskë, i pari të fliste me tone të tilla.

“Papa Françesku ka zgjedhur tonin e gabuar për të përçuar përmbajtjen e kësaj bisede”, tha patriarku në një koment, pa përmendur specifikisht komentin “djali i altarit”.

“Deklarata të tilla nuk kontribuojnë për dialogun mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse ruse, që është më shumë i nevojshëm në këtë kohë”.

75 vjeçari Kirill, aleat i ngushtë i Putin, e konsideron luftën si një qëndresë ndaj “Perëndimit dekadent” kryesisht prej pranimit dhe lavderimit të homoseksualitetit, shkruan agjencia Reuters.

Kisha ortodokse ruse është ndarë nga krishtërimi perëndimor në 1054, dhe ka rreth 100 milionë besimtarë vetëm në Rusi.

Ukraina ka rreth 30 milionë ortodoksë të ndarë mes patriarkatit ukrainas të Moskës dhe kishave të tjera ortodokse, një prej të cilave është enti vetëqeverisës Kisha Ortodokse Ukrainase.

Kirill ka thënë gjithashtu se konflikti në Ukrainë ka nisur në 2014 kur protestat e pilotuara përmbysën presidentin pro-rus, dhe kur nisi persekutimi i ruso-folësve në jug e lindje të Ukrainës.

Ukraina mohon persekutime të tilla.

Kirill ka shprehur dhimbje për konfliktin, duke thënë: “Kjo situatë është një dhimbje e madhe për mua, sepse besimtarët e mi janë në të dyja anët e konfrontimit, janë besimtarë ortodoksë”.

FOTO GALERI
2/3
Papa Françesku një ditë më parë kishte nxitur Patriarkun Kirill të mos bëhej “ndihmësi i altarit i Kremlinit”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA