Në prag të pushtimit të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim të gjatë dhe të rrëmujshëm, ku mohonte ekzistencën e Ukrainës dhe ukrainasve. Një fjalim të cilin shumë analistë perëndimorë e panë si të çuditshëm dhe pa baza.
Në fakt, ishte i çuditshëm por jo pa lidhje. Pasi analiza e Putin buronte drejtpërdrejt nga veprat e një profeti fashist të perandorisë maksimale ruse të quajtur Aleksandër Dugin.
Ndikimi intelektual i Dugin mbi udhëheqësin rus është i mirë-njohur për studentët mendjengushtë të epokës post-sovjetike, në mesin e të cilëve Dugin, 60 vjeç, cilësohet nganjëherë si “truri i Putinit”.
Vepra e tij është gjithashtu e njohur për “të djathtën e re“ në Evropë, ku Dugin ka qenë një figurë udhëheqëse për gati 3 dekada, si dhe për të “djathtën alternative” të Amerikës. Në fakt, ish-gruaja me origjinë ruse e liderit nacionalist të bardhë Riçard Spenser, Nina Kuprianova, ka përkthyer në anglisht disa nga veprat e Dugin.
Por ndërsa bota po sheh me tmerr dhe neveri bombardimet pa dallim mbi Ukrainë, lipset një kuptim më i gjerë i ideve vdekjeprurëse të Dugin. Rusia e ka përdorur gjatë 20 viteve të fundit “manualin” e tij duke na sjellë tashmë në pragun e një lufte tjetër botërore.
Një produkt i periudhës së vonë, dhe në rënie të Bashkimit Sovjetik, Dugin i përket listës së gjatë dhe të zymtë të teoricienëve politikë që shpikin një të kaluar madhështore dhe të lavdishme – të mbushur me misticizëm dhe me bindje të verbër ndaj autoritetit – për të shpjeguar një të tashme të dështuar.
Dhe e ardhmja qëndron në rikthimin e kësaj të kaluare duke zëvendësuar të tashmen liberale, tregtare, kozmopolite (shpesh e përfaqësuar nga populli hebre). Mendimtarë të tillë patën kulmin e popullaritetit një shekull më parë, nën rrënojat evropiane të Luftës së Parë Botërore: Xhulius Evola, murgu i çmendur i fashizmit italian; Sharl Moras, nacionalisti reaksionar francez; Çarls Kauglin, propagandisti amerikan i radios; madje edhe autori i një libri gjerman të quajtur “Mein Kampf”.
Dugin rrëfen në thelb të njëjtën histori por nga këndvështrimi rus. Sipas tij përpara se moderniteti të shkatërronte gjithçka, një popull rus i motivuar shpirtërisht premtoi të bashkonte Evropën dhe Azinë në një perandori të madhe, të sunduar siç duhet nga rusët etnikë.
Mjerisht, një perandori rivale me dalje të gjerë në det e individualistëve të korruptuar, dhe grabitqarëve të parave, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, e pengoi fatin e Rusisë dhe e sabotoi projektin e “Euroazisë”, që është termi i tij për perandorinë e ardhshme ruse.
Në veprën e tij kryesore “Themelet e gjeopolitikës:E ardhmja gjeopolitike e Rusisë”, botuar në vitin 1997, Dugin e përshkruan në detaje këtë projekt. Agjentët rusë duhet të nxisin ndarje racore, fetare dhe sektare brenda Shteteve të Bashkuara, në një kohë që duhet të promovojnë fraksionet izolacioniste të Shteteve të Bashkuara. (A nuk tingëllon si diçka e njohur?).
Në Britaninë e Madhe, përpjekjet duhet të fokusohen në përkeqësimin e përçarjeve historike me Evropën Kontinentale dhe lëvizjet separatiste në Skoci, Uells dhe Irlandë. Ndërkohë Evropa Perëndimore duhet të tërhiqet në drejtim të Rusisë përmes joshjes së burimeve natyrore: naftës, gazit dhe ushqimeve.
NATO do të shembet nga brenda. Putini e ka ndjekur me kujdes këtë këshillë. Dhe ai duhet të ketë ndjerë se gjërat po shkonin mirë, kur pa protestuesit të thyenin dritaret në korridoret e Kongresit të SHBA-së, Brexit në Britani, dhe varësinë në rritje të Gjermanisë nga gazi natyror rus.
Duke qenë se dëmtimi i Perëndimit po shkon aq mirë, Putini ka kaluar në pjesën e projektit ku Dugin shkruan: “Ukraina si një shtet i pavarur me ambicie të caktuara territoriale, përfaqëson një rrezik të madh për të gjithë Euroazinë, dhe pa zgjidhur problemin ukrainas, është e pakuptimtë të flitet për politikë kontinentale”.
Por çfarë ndodh nëse Putin arrin të “zgjidhë” problemin e Rusisë në Ukrainë? Dugin parashikon një ndarje graduale të Evropës në zona të ndikimit gjerman dhe rus. Rusia do të ketë shumë peshë për shkak të nevojave të Gjermanisë për burime e saj natyrore.
Ndërsa Britania e Madhe shkatërrohet dhe Rusia ia merr zonat e ndikimit, perandoria e Euroazisë do të shtrihet përfundimisht, sipas fjalëve të vetë Dugini “nga Dublini në Vladisvostok”.
Edhe përfshirja e Putinit në konfliktet në Lindjen e Mesme, është ndikuar nga ideja e Dugin për një aks Moskë-Tehran. Joshja e tij ndaj qeverisë nacionaliste në Nju Delhi të Indisë, është një reflektim i këmbënguljes së Dugin, se perandoria euroaziatike duhet të shtrihet deri në Oqeanin Indian.
Aq sa është e rëndësishme që vendimmarrësit perëndimorë ta marrin seriozisht megalomaninë mistike të Dugin, kjo është po aq urgjente për Xi Jinping e Kinës. Xi dhe Putin shpallën një partneritet të ngushtë në shkurt për të zvogëluar ndikimin e Shteteve të Bashkuara.
Por sipas Dugin, edhe Kina duhet të bjerë. Ambiciet e Rusisë në Azi do të synojnë “shpërbërjen territoriale, copëtimin dhe ndarjen politike dhe administrative të shtetit kinez” shkruan Dugin. Sipas Dugin, partnerja natyrale e Rusisë në Lindjen e Largët, është Japonia.
Në një farë kuptimi, libri 600–faqësh i Dugin mund të përmblidhet në një ide: Luftën e Dytë Botërore e fitoi aleanca e gabuar. Nëse Hitleri nuk do të kishte pushtuar Rusinë, Britania e Madhe mund të ishte thyer.
Shtetet e Bashkuara do të kishin mbetur jashtë luftës, të izoluara dhe të përçara, dhe Japonia do të kishte sunduar Kinën si partnerja më e vogël i Rusisë. Një fashizëm nga Irlanda në Paqësor. Një iluzion? Unë shpresoj të jetë kështu. Por iluzionet bëhen të rëndësishme kur përqafohen nga tiranët./bota.al
Top Channel