Polici në SHBA regjistrohet në kamera duke ‘arrestuar’ 8-vjeçarin për vjedhje patatinash ‘Dorito’ (video)

20/04/2022 21:35

Një patrullë policie në Syracuse, SHBA është bërë virale në rrjet pas publikimit të videos ku tre policët “arrestonin” një fëmijë 8-vjeçar me ngjyrë, sepse kishte vjedhur një qese patatinash Doritos nga një market.

Pamjet e xhiruara nga Kenneth Jackson janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale ku shihet djali me ngjyrë që qan teksa ndalohet nga policët të dielën, shkruan rrjeti Post-Standard .

“Çfarë jeni duke bërë?” pyet një kalimtar oficerin që mban fëmijën nga dy krahët.

“Si të duket ty, çfarë jam duke bërë,” përgjigjet polici, teksa Jackson vijon ta pyesë duke mos iu besuar syve.

“Ky më duket një fëmijë. Nuk e di çfarë jeni duke bërë, çfarë po ndodh?”

Një tjetër oficer përgjigjet duke thënë se “ishte duke vjedhur.”

“Jo o njeri, ai merr një qese patatina dhe ju e trajtoni si një vrasës?” pyet Jackson, duke ofenduar policët që fusin fëmijën në makinë.

“Nëse ka vjedhur patatina i paguaj unë! Lëreni të shkojë, është një fëmijë!” thërret ai.

Babai i fëmijës, Anthony Weah, tha për rrjetin Post-Standard se policia kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishin informuar se tre djemtë e tij akuzoheshin se kishin vjedhur patatina.

Weah tha se policët nuk ngritën akuza zyrtare por ishte shokuar kur kishte parë videon në rrjetet sociale.

Babai i fëmijës që është nga Etiopia, pranon se ajo që bëri djali i tij është e gabuar, por refuzonte mënyrën sesi policët trajtuan incidentin.

“Policët nuk janë fëmijë, ata janë burra”, tha Weah për gazetën.

Incidenti u dënua gjerësisht në rrjetet sociale ku përdoruesit quajtën veprimin e policisë një mbireagim ndaj një shkelje të parëndësishme.

Disa komentues vendosnin ngjyra racore pasi fëmijë ishte me ngjyrë ndërsa policët të bardhë.

Kryebashkiaku i Syracuse, Ben Walsh tha se kishte kontaktuar policinë kur mësoi për videon shkruan rrjeti  CNY Central .

“Oficeri e njihte fëmijën prej veprimeve të mëparshme dhe i shpjegoi se po e shoqëronte për në shtëpi, ku incidenti u diskutua me prindërit”, tha ai.

FOTO GALERI
3/7
Pamjet e xhiruara nga Kenneth Jackson janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA