Nuk ka sinjale për një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin.
Kryeministri Italian, Mario Draghi pati një telefonatë me shefin e Kremlinit, gjatë të cilës, ky i fundi siç duket, e ka refuzuar idenë e vendosjes së armëpushimit.
Draghi e ka telefonuar Putinit më 30 mars, por vetëm tani jepen detaje nga biseda mes tyre.
“E pyeta: Kur do ta takosh Zelenskyn? Vetëm ju të dy mund ta zgjidhni këtë ngërç.
M`u përgjigj: Nuk është momenti! Unë insistova. Vendos për një armëpushim, dhe përgjigja ishte sërish: Jo, nuk është koha tani” .
Deri tani, tha Draghi për të përditshmen e njohur Italiane, duket se qëllimi i Putinit nuk ka qenë kërkimi i paqes, por një përpjekje për të asgjësuar rezistencën ukrainase, për të pushtuar vendin e për t`ia besuar drejtimin e tij një qeverie mike për Moskën.
Bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës kanë ngecur në vendnumëro që prej zbulimit të vrasjeve masive në qytezën e Buchas, në periferi të Kievit.
Të shtunën, Bloomberg raportoi se oligarku rus, Roman Abramovich është përpjekur t`i japë negociatave një shtysë të re, në kohën kur sanksionet e perëndimit po bllokojnë asetet e tij.
Draghi e mbrojti me forcë vendimin e Italisë për ta furnizuar Ukrainën me armë dhe pajisje ushtarake.
“Cila është mënyra më e mirë për të ndihmuar njerëzit e sulmuar? Sanksionet janë të rëndësishme kur vjen fjala tek dobësimi i agresorit, por nuk i ndalojnë trupat në terren. Për t`ia arritur kësaj, ne duhet ta ndihmojmë Ukrainën drejtpërdrejtë, dhe është pikërisht ajo që ne po bëjmë”, tha Draghi.
Top Channel