Detarët e humbur shpëtohen nga ishulli i pabanuar prej ‘mesazhit në shishe’ (fotot)

15/04/2022 18:21

Megjithse tingëllon si një skenar filmi, gjashtë detarë të bllokuar në një ishull të largët pa ushqim për gati dy javë, janë shpëtuar nga marina braziliane pas dërgimit të një lutjeje me mesazh në shishe.

Detarët ishin anëtarë të ekuipazhit të anijes ‘Bom Jesus’, dhe u raportuan të humbur nga familjarët  më 11 prill pasi nuk u kthyen nga një lundrim 10-ditor në oqean.

Por pa u ditur nga familjarët, grupi kishin mbetur në ishullin Ilha das Flechas [Ishulli i Shigjetës] prej 1 prillit kur barka e tyre mori zjarr.

Ishulli i largët gjendet në ujërat pranë shtetit brazilian të Para dhe është tërësisht i pabanuar.

Aty të humburit pa ushqim dhe pa furnizim të mjaftueshëm me ujë, shkruan një letër dhe e lëshuan në një shishe të lidhur me një top pluskues.

“Ndihmë, ndihmë! Kemi nevojë për ndihmë, barka mori zjarr, jemi në Ishullin e Shigjetës prej 13 ditësh pa ushqim, njoftoni familjarët,” shkruante shënimi në shishe, sipas rrjetit CEN News Wire.

Mrekullisht mesazhi ishte gjetur nga një peshkatar i cili e dërgoi shpejt te marina braziliane.

Në mesazhin e tyre detarët e humbur kishin vendosur dhe numrat e telefonëve të familjarëve që banojnë në qytetin bregdetar të Santarém.

Të mërkurën të humburit u shpëtuan, pas 13 ditësh të bllokuar në ishull.

Në pamjet video të publikuara grupi shihet që përshëndeten me forcat e marinës para se të merren në tokë me helikopter.

Pasi u dërguan në qytetin e Belém doktorët thanë se ata ishin në shëndet përgjithësisht të mirë, por vuanin vetëm nga dehidratimi.

Ata kishin mbijetuar duke ruajtur ujin e shiut dhe duke racionuar ushqimin e tyre, shkruante rrjeti brazilian Oliberal.com.

Nëna e një prej detarëve tha e përlotur për rrjetin Santarém e Região: “Të gjithë janë të lumtur pasi u gjetën të gjallë, kjo i ka lehtësuar njerëzit e shqetësuar”.

Autoritetet thanë se po hetojnë shkaqet e fundosjes së barkës së tyre.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA