Moska thotë se ‘qindra ushtarë të Ukrainës janë dorëzuar’ në Mariupol (fotot)

13/04/2022 18:43

Televizionet ruse publikonin sot pamje të ushtarëve ukrainas që pretendohej se ishin dorëzuar në qytetin jugor të Mariupol, në një kohë kur presidentët e katër vendeve kufitare me Rusinë kishin ardhur në Kiev për të treguar mbështetje për Ukrainën.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se 1,026 ushtarë të brigadës së 36-të të Marinës, përfshi dhe 162 oficerë, kishin “ulur armët në mënyrë vullnetare” pranë fabrikës së hekurit Ilyich.

Ministria ukrainase e mbrojtjes tha se nuk kishte informacion për dorëzimin ndërsa komanda ushtarake tha se forcat ruse kishin sulmuar zonën industriale të Azovstal dhe portin e qytetit.

Ndërsa lideri çeçen Ramzan Kadyrov, forcat e të cilit po marrin pjesë në betejë, kishte nxitur ukrainasit e fundit që po rezistonin në Azovstal, të dorëzoheshin.

Mariupol është një nga objektivat kryesore të ushtrisë ruse për të vënë nën kontroll rajonin lindor të Donbas. Kryebashkiaku tha se 21,000 civilë kanë vdekur ndërsa rreth 100,000 mbeten në Mariupol në pritje të evakuimit.

Kapja e qytetit do të shënonte marrjen e lidhjes tokësore mes republikave të vetë-shpallura të Donetsk e Luhansk në Donbas, dhe Krimesë. Kjo e fundit e ankesuar nga Moska prej vitit 2014.

Sot në Kiev erdhen me tren presidentët polakë Andrzej Duda, ai i Estonisë Alar Karis, Gitanas Nausėda i Lituanisë dhe ai i Letonisë, Egils Levits.

“Ne shkojmë në Kiev për të dërguar një mesazh të fortë mbështetjeje politike dhe ushtarake”, tha Nausėda nga stacioni i trenit para nisjes.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA