Ka dy forma të financimit të universiteteve, kryesisht rrogat e pedagogëve mbulohen nga Buxheti I Shtetit, kurse kërkimi shkencor, jeta akademike, shërbimet dhe facilitetet mbulohen nga tarifat e studentëve që derdhin çdo vit. Autoritetet kryesore përgjegjëse për menaxhimin financiar janë: Bordi i Administrimit, Administrator i Universitetit dhe Administratorët e Fakulteteve.

Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij. Bordi përbëhet nga shtatë anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme. Tre Anëtarë, përfaqësues të institucionit publik të arsimit të lartë përzgjidhen nga Senati Akademik dhe katër Anëtarët përfaqësues të ministrisë.

Duke qenë se shumica e anëtarëve në bord nuk kanë lidhje me universitetin, për rrjedhojë vendimet e tyre kanë qenë larg nevojave që ka universiteti. Gjatë tubimeve të vitit 2018, u denoncua jo vetëm keqmenaxhimi i parave, por edhe konflikti i interesit që kishin anëtarët e bordeve të administrimit. Ata ishin njerëz që punonin në ministri të ndryshme, ishin drejtues të lartë aty dhe po ashtu një pjesë ishin të politizuar.

Në përgjigje të protestës, kryeministri bëri shkarkimin e të gjithë anëtarëve të bordeve dhe premtoi se bordet e reja do të përbëhen nga figura të larta publike.

Ministria e Arsimit nxorri një udhëzim që një prej anëtarëve të bordit të zgjidhej prej studentëve në mënyrë që të bënte balancën në vendimmarrje dhe të ishte nën monitorim të vetë studentëve.

Përbërja e Bordit të Administrimit përcaktohet në varësi të planit buxhetor afatmesëm të institucionit publik të arsimit të lartë. Një nga anëtarët përfaqësues të ministrisë në Bord përzgjidhet nga studentët, të cilët i paraqesin ministrit tri kandidatura dhe ministri emëron një prej tyre. Kandidaturat e paraqitura nga studentët duhet të plotësojnë të njëjtat kritere si dhe anëtarët e tjerë të bordit përfaqësues të ministrisë. Por, bordet e reja sërish u miratuan nga Ministria , nuk ishin figura publike, pjesën tjetër e emëroi vetë universiteti.

“Pasi u zgjodhën disa zgjedhje fiktive ku morën pjesë 1-2 % e studentëve në disa universitete u zgjodhën disa pedagogë dhe disa figura të shquara nga studentët. Por ajo që ndodhi ishte se Ministria e Arsimit nuk zgjodhi ata kandidatë që votuan studentët, por ata që kishte interes për ti zgjedhur në mënyrë që të mos prishnin mënyrën e shpenzimeve që do të bënin në të ardhmen universistetet.

Ky fakt vërteton atë që ndodh edhe sot me universitetet, Ministria e Arsimit ka shumicën e kontrollit financiar nëpër universitete” u shpreh Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare.

Ministria e Arsimit ka qenë indiferente ndaj këtij abuzimi. Kontrolli i Lartë i Shtetit i tha INSIDE STORY-t se në fund të muajit janar ka nisur një auditim nëpër universitetet shqiptare në lidhje me menaxhimin financiar bazuar në gjetjet e përmendura në këtë dokumentar. Audititmi është në fazën fillestare.

Top Channel