Titujt në elitat e Europës/ Fillojnë bilancet, skuadrat më pranë triumfit

12/04/2022 09:22

Fundi i sezonit është afër, me kampionatet elitare të Europës që kanë hyrë në sprintin final.

Në Premier League, pas javës së 32-të, gara për titullin kampion është e hapur dhe jo vetëm, por edhe e paparashikueshme. Manchester City kryeson me 74 pikë, një më shumë se Liverpool, me të dyja skuadrat që këtë fundjavë dhuruan “show”, por jo fitues në barazimin 2-2 duke lënë të hapur garën për titullin kampion në këtë edicion. Në “ishull” nuk ka një skuadër të tretë në këtë garë, me Chelsea-n që qëndron shumë larg. “Blutë” e Londrës janë larg titullit, por ka ende punë për të bërë, jo vetëm për ta, por edhe skuadrat e tjera që do luajnë për kupat e Europës në pjesën e mbetur të sezonit.

Në La Liga, Real Madrid pret vetëm zyrtarizimin, pasi madrilenët ende nuk kanë siguruar matematikisht titullin. “Los Blancos” kryesojnë të vetëm prej kohësh dhe pas 31 javësh numërojnë 72 pikë, 12 më shumë se Barcelona, me katalanasit që kanë një ndeshje më pak në klasifikim, por shanset për të bërë një mrekulli janë pothuajse zero. Në Spanjë, në këtë sezon luhet edhe për zonën europiane me fundin e sezonit që premton emocione pasi asnjë skuadër, me përjashtim Real-it nuk e ka të sigurt një vend në Champions League.

E njëjta situatë edhe në Ligue 1, me PSG që është bërë gati për titullin e 10-të në histori. 7 javë nga fundi i edicionit, diferenca e parizienëve me vendin e dytë, Marseille-n është 12 pikë, por në fundjavë, PSG dhe Marseille do të vendosen përballë njëra-tjetrës, me skuadrën e Pochettinos që do të kërkojë jo vetëm tri pikët, por edhe të “vrasë” përfundimisht kampionatin. Kryeqytetasit kanë dominuar në kampionat nga fillimi, ndërsa e hapur është edhe situata në zonën europiane.

Asnjë surprizë në Bundesliga. Bayern Munich shtegton drejt titullit kampion, pasi edhe në këtë sezon, rivalët direkt e kishin të pamundur të ruanin hapin e bavarezëve. Gjithçka është në lojë sa i përket matematikës, skuadra e Nagelssman kryeson me 69 pikë, 9 më shumë se vendi i dytë, Borussia Dortmund. Edhe në Gjermani gara për zonën europiane është e hapur dhe për më tepër me shumë skuadra në garë.

Në Eredivise sapo është mbyllur java e 29-të, me Ajax-in që kryeson me 72 pikë, por nuk dominon, pasi PSV Eindhoven është vetëm 4 pikë larg. Të dyja ekipet kanë gabuar pak gjatë sezonit, por tani, në sprintin final, gabimi më i vogël kushton shumë. Sa i përket zonës europiane, gara është e hapur për vetë sistemin e kampionatit, ndërsa Feyenoord ka pak shpresa për të prekur vendin e dytë në kampionat dhe për të luajtur në “Play-Off” në Champions League.

Top Channel