“Nëndetësja blu në prag të mbytjes”/ Mbijetesa, mision i pamundur

11/04/2022 16:50

Pritej të ishte një sfidë shumë e luftuar, por rezultoi një takim i vakët ai mes Dinamos dhe Kastriotit, që u mbyll me rezultatin 0-1 dhe u luajt pasditen e kësaj të hëne.

Rezultati i ndeshjes së zhvilluar në “Elbasan Arena” shtyn edhe më keq drejt rrëzimit nga elita e futbollit shqiptar “blutë” e kryeqytetit, të cilët këtë sezon ishin rikthyer në Superiore.

Pjesa e parë ka pasur deri diku një dominim më të madh të Dinamos. Ky fraksion është karakterizuar nga shumë ndalesa për shkak të dëmtimeve, ndërsa rastet e krijuara për gol ishin të pakta.

Në pjesën e dytë Kastrioti ishte më kërkues dhe pas disa rasteve gjeti golin në minutën e 69-të me anë të Adolf Selmanit, i cili ishte dhe goli i parë i mbrojtësit të krutanëve në këtë edicion. Teksa në minutën e 90+1’ Dinamo do të luante me 10 lojtarë, pasi Sidibe u dënua me kartonin e dytë të verdhë për shkak të përplasjes me Santiago Selmanin.

Pas takimit të raundit të 28-të Kastrioti ngjitet në vend të gjashtë me 34 pikë, duke kaluar Egnatian dhe Teutën. Dinamo nga ana tjetër zhytet edhe më keq, teksa pas 28 javësh renditet në vend të parafundit me 23 pikë, 9 më pak se Teuta e vendit të shtatë, që është edhe pozicioni i fundit në renditjen e Abissnet Superiore jashtë zonës së rrezikut.

Kjo bëhet ndeshja e katërt radhazi që Dinamo humbet dhe nuk shënon, ndërsa për Kastriotin është fitoja e katërt radhazi dhe njëkohësisht ndeshja e tetë që gjen golin, duke u bërë  edhe skuadra më në formë e momentit.

Top Channel