Ish-numri 1 i botës në tenis kundër Djokovic: Nëse humbet turneun për vaksinën, je budallai më i madh!

11/04/2022 23:06

Vaksina kundër Covid 19, u kthye në një çështje madhore për Novak Djokovic me tenistin që nuk u lejua të merrte pjesë në turneun e Australian Open.

Australia si një vend me rregulla strikte sa i takon çështjes së vaksinimit, pas një kalvari të gjatë ia doli që me vendim gjykate të largonte nga vendi tenistin serb, i cili u detyrua të shihte nga ekrani triumfin e rivalit të tij më të madh, Rafael Nadal.

Së fundmi, rreth mungesës së serbit në Australian Open foli ish-numri një i botës në tenis, Marcelo Rios. Kiliani theksoi se të mungosh në një turne për arsyen e vaksinës atëherë i bie të jesh budallai më i madh në botë.

“Për çështjen e vaksinës edhe unë kisha kundërshtimet e mia në fillim, por duke qenë se duhej të udhëtoja e kuptova se ishte diçka e cila duhej bërë. Unë nuk e di arsyen pse Djokovic nuk pranoi të vaksinohej, por nëse kërkon të jesh më i miri në historinë e këtij sporti dhe më pas për vaksinën humbet një turne, atëherë duhet të jesh mbreti i budallenjve. Tani Djokovic po bëhet shumë arrogant”, u shpreh Rios./ Supersport

Top Channel