Betis shumë pranë Champions-it pas 17 vitesh, por ka kalendarin kundër

11/04/2022 14:14

Real Betis ka interpretuar një sezon mjaft të mirë, me skuadrën nga Sevilla që është në garë për vendin e katërt dhe për të siguruar një vend në fazën e grupeve të Champions League sezonin e ardhshëm.

Triumfi në transfertën e Cadiz-it këtë fundjavë dhe humbja e Atletico Madrid ndaj Mallorca-s kanë bërë që Betis të jetë vetëm një pikë larg objektivit. Në total në 31 ndeshje Real Betis numëron 17 fitore, 5 barazime dhe 9 humbje, ndërsa sa i përket numrit të fitoreve, vetëm Real Madrid ka bërë më mirë më 22 të tilla.

Dëshira për të bërë mirë është dëshmuar nga rezultatet, por Betis ka kundër kalendarin, pasi në shtatë takimet e mbetura, skuadra e Pellegrini-t do të luajë ndaj rivalëve direkt. Fillimisht, Real Betis udhëton në transfertën e Real Sociedad, në finalen e parë sezonale. Baskët kanë dy pikë më pak se Betis dhe janë në garë për vendin e katërt, ndërsa më pas është takimi në “Benito Villamarin” ndaj Elche-s. Në fundin e këtij muaji, Real Betis do të ketë mundësinë për të shijuar edhe një trofe, pasi më 23 prill do të zbresë në finalen e Kupës së Spanjës ndaj Valencia-s.

Pas kësaj sfide, trajektorja e vështirësisë në kampionat rritet, pasi në sprintin final, Betis do të luajë përballë Getafes, më pas është Barcelona, Valencia, Granada dhe në fund Real Madrid. Gjithçka është në lojë, pavarësisht kalendarit Real Betis do të provojë në maksimum të sigurojë vendin e katërt, pasi në këtë fazë të kampionatit, gabimi më i vogël kushton shumë, pasi në renditje ka pak diferenca, ndërsa Betis nuk luan në Champions League që nga sezoni 2005-2006, që ishte dhe sezoni i parë në histori.

Top Channel