“Nëse situata vazhdon me këto çmime unë do t’i mbaj deri në shtator-tetor pastaj do t’i heq. Më dhimbsen pasi kjo është jeta ime. Çdo gjë që pata e hodha këtu. Kam lënë shtëpinë, familjen shoqërinë për të punuar këtu. Dhe ja vjen një ditë që do e lesh dhe do e braktisësh”, u shpreh në lot blektori, Syrja Metushi.
Syrja Metushi, është 45 vjeç dhe jetën e ka lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë. 20 vite më parë u kthye nga emigrimi dhe ndërtoi një fermë.
Në fillim kjo stallë kishte 2 lopë, ndërsa sot numërohen 50 krerë. Ai thotë se ky nuk është viti më i mirë për fermerët që mbarështojnë gjë të gjallë, pasi çmimi i ushqimit të bagëtisë është dyfishuar.
“Ka vajtur çdo gjë e papërballueshme. Duke filluar nga nafta, bërsia, misri dhe plehrat kimike që kanë vajtur në stratosferë”, tha Syrja Metushi.
Edhe pse kostot e prodhimit të qumështit janë rritur, pikat e grumbullimit një litër qumësht nuk e blejnë më tepër se 55 lekë pa tvsh.
Deri para një viti Syrja nga shitja e qumështit arrinte të fitonte nga 5-10 mijë lek në ditë, ndërsa sot fermeri nuk arrin të mbulojë kostot e stallës.
Rritja e çmimeve të imputeve bujqësore dhe farave, fermerin nga Bucova e Fierit, e kanë vendosur në vështirësi ekonomike.
Ai thotë se kjo lopë prej tre muajsh nuk i sjell më atij asnjë fitim. Shpenzimet ditore të një lope kapin vlerën e 1000 lekëve, ndërkohë që nga shitja e qumështit që prodhon lopa ai arrin të sigurojë afërsisht 800 lekë në ditë.
Nëse çmimet e imputeve bujqësore nuk pësojnë rënie, Syrjai thotë se stalla e tij do të boshatiset.
“ Deri vjet ishim mirë, ia dilnim. Pasi unë arrija të fitoja 100-200 lekë në ditë për lopë. Ndërsa tani vështirë. Zona jonë këtu ka pas 6 stalla të tilla ndërsa tani kam mbet vetëm unë. Të gjithë i kanë shitur pasi nuk dalin dot”, shtoi më tej blektori.
Ushqimi i shtrenjtë i bagëtisë dhe çmimi i liri i qumështit, kanë bërë që në fshat të mbesë vetëm një stallë e madhe, të tjerat u boshatisën.
Me shpresën se kjo situatë do të ndryshojë, ai vazhdon t’i shërbejë lopëve me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë.
Top Channel