Futbollisti i Sassuolos dënohet me 14 muaj burg për trafik armësh

09/04/2022 15:19

Futbollisti i talentuar uruguaian, në pronësi të Sassuolos Nicola Schiappacasse dënohet me 14 muaj burg, i konvertuar në arrest shtëpie, për mbajtje municionesh dhe armësh zjarri, teksa krahas kësaj, do të duhet të shërbejë edhe në komunitet.

Vendimi u dha nga një gjykatë vendase, e cila i ka lejuar 23-vjeçarit të dalë vetëm për të kryer seancat stërvitore me klubin e Tanque Sisley, ku edhe është i huazuar nga italianët e Sassuolos.

Futbollistit iu gjet një armë zjarri e kalibrit 9 mm, në një postbllok në qytetin e Maldonados dhe për këtë u arrestua menjëherë, teksa ka kryer një pjesë të mirë të dënimit në ambientet e paraburgimit.

I lindur në vitin 1999, Nicola Schiappacasse cilësohej padyshim një nga të rinjtë më të talentuar, duke shënuar 30 gola në 70 ndeshje me moshat e Uruguajit, nga U17 deri në U20.

Kaq mjaftoi që futbollisti të transferohej që në moshë të re te Atletico e Madridit, ku qëndroi në periudhën 2016-2020, por më së shumti në huazim, përfshi edhe atë te Parma, klub me të cilin edhe debutoi në Serinë A italiane.

Në verën e 2020-ës Schiappacasse u ble nga Sassuolo, që e huazoi fillimisht te Penarol e më pas te Tanque Sisley, megjithatë futbollisti ka kontratë deri në verën e 2023-shit me klubin emilian.

Top Channel