Forcat izraelite vrasin palestinezin që sulmoi me automatik barin e mbushur me njerëz në Tel Aviv (fotot)

08/04/2022 18:20

Forcat izraelite të sigurisë thanë sot se kanë gjurmuar dhe vrarë një palestinez që hapi zjarr ndaj një bari në qendër të Tel Aviv mbrëmjen e të enjtes, duke vrarë dy njerëz e duke plagosur 10 të tjerë.

Sulmi i një dite më parë kishte shkaktuar skena paniku në qendër të qytetit të mbushur.

Ky ishte sulmi i katërt me vdekje në Izrael në tre javë, dhe vjen në një kohë tensionesh të shtuara rreth nisjes së muajit të shenjtë musliman të Ramazanit.

Dje mijëra palestinezë nga Bregu Perëndimor erdhën në Jerusalem për të premten e parë të lutjeve të Ramazanit, në xhaminë e Al Aqsa.

Nuk është e qartë nëse Izraeli do të lejojë hyrjen e besimtarëve palestinezë në Jerusalem, teksa perplasje të ngjashme në qytetin e shenjtë vitin e kaluar sollën luftën 11-ditore me bombardime vrastare në Gaza nga forcat ajrore të Izraelit.

“Ne do të zgjerojmë veprimet tona përballë kësaj vale terrori, me anë të sulmeve, mbrojtjes dhe inteligjencës”, tha minsitri i brendshëm izraelit Benny Gantz.

Sulmi i të enjtes ndodhi në barin e mbushur të rrugës qendrore Dizengoff që ka qenë skenë sulmesh edhe vite të shkuara. Mbrëmja e të enjtes është në fakt nisja e fundjavës izraelite dhe njerëzit shkojnë në bare e restorante.

Në videot e shpërndara në rrjet shiheshin dhjetra njerëz që vraponin të tmerruar nëpër rrugë, ndërsa policia kërkonte sulmuesin dhe urdhëronte njerëzit të qëndronin brenda.

Qindra oficerë policie izraelite  me njësi të specializuara kishin kryer kërkime gjatë natës në zonat e mbushura rezidenciale të Tel Aviv.

Mëngjesin e sotëm autoritetet thanë se kishin gjetur sulmuesin pranë një xhamie në Jaffa, zona jugore arabe e Tel Aviv, dhe e kishin vrarë “pas një përplasjeje me armë”.

Sulmuesi ishte identifikuar si 28 vjeçari Raad Hazem, palestinez nga Jenin, në zonat e pushtuara të Bregut Perëndimor.

Policia tha se ai duket se kishte vepruar vetëm dhe se nuk i përkiste organizatave militante e nuk kishte precedentë.

Kampi i refugjatëve në Jenin ka qenë e skenë e betejave të rënda mes palestinezëve dhe ushtrisë izraelite.

Forcat izraelite shpesh kryejnë sulme dhe arrestime në Jenin, që konsiderohet si një zonë problematike e rezistencës palestineze.

Megjithë viktimat e të enjtes, 13 izraelitë janë vrarë javet e fundit në një prej valëve më të rënda të dhunës ndër vite.

Dhjetra palestinezë janë vrarë ndërkohë muajt e fundit nga ushtria izraelite në protesta apo operacione speciale kundër organizatorëve të rezistencës në tokat e pushtuara.

Para sulmit të fundit, si një masë lehtësuese, Izraeli tha se do të lejonte gratë dhe burrat mbi 40 vjeç nga Bregu Perëndimor të luteshin në xhaminë e Al-Aqsa në Jerusalem, për të premten e parë të Ramazanit. Por sulmi i të enjtes ka shuar interesin.

Xhamia është vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame dhe qëndron në kodrën që konsiderohet e shenjtë nga hebrejtë.

Izraeli ka aneksuar Jerusalemin lindor, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës që prej luftës së vitit 1967. Lëvizja nuk njihet ndërkombëtarisht ashtu si dhe zgjerimi i kolonive të reja izraelite në tokat e pushtuara.

FOTO GALERI
5/6
Qindra oficerë policie izraelite me njësi të specializuara kishin kryer kërkime gjatë natës në zonat e mbushura rezidenciale të Tel Aviv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA