Lewandowski dëshiron transferimin në “Camp Nou”, Barcelona i bën ofertë zyrtare Bayernit

04/04/2022 16:22

Robert Lewandowski pritet të provojë një aventurë të re në verë pas tetë sezoneve plot trofe, gola e rekorde te Bayern Munchen.

33-vjeçari ka shprehur dëshirën për t’iu bashkuar projektit të bukur dhe ambicioz të Xavit te Barcelona.

Klubi spanjoll po kërkon një emër të madh për sulmin dhe polaku është një nga opsionet më të mira në qarkullim. Sky Sports raporton se drejtuesit e klubit katalanas janë gati të përfshijnë Sergino Dest në operacionin e transferimit të Lewës në “Camp Nou”.

Mbrojtësi i djathtë është një dëshirë e kahershme e kampionëve të Gjermanisë. Lewandowski ka kontratë deri në 2023 me klubin bavarez, që nuk pritet të pengojë largimin e tij drejt Spanjës, por oferta iberike duhet të jetë bindëse.

Vlera e goleadorit llogaritet rreth 60 milionë euro nga drejtuesit e Bayernit, teksa 21-vjeçari amerikan u ble për 21 milionë euro nga Barcelona në verën e vitit 2020 nga Ajax.

Top Channel