“Nuk merren vendime pa pyetur grupin parlamentar”/ Boçi korrigjon deklaratën në mesnatë. Shton fjali kundër Alibeajt

03/04/2022 08:42

Deputeti Luciano Boci ka korrigjuar deklaratën në mesnatë për të treguar se i drejtohet Enkelejd Alibeajt, jo Sali Berishës.

“N/kryetari i Grupit Parlamentar të PD Luciano Boci i përgjigjet Enkelejd Alibeaj: Partia Demokratike nuk mund të komandohet me deklarata personale në emër të qënit në krye të grupit parlamentar”, thuhet në korrigjim për të hedhur çdo aludim se i referohet ish liderit të PD.

Ditën e djeshme, Boci bëri një reagim në Facebook për çështjen e presidentit të ri duke thënë se asnjë vendim nuk merret pa u pyetur më parë grupi parlamentar i PD.

“Çështja e zgjedhjes së Presidentit është një çështje thelbësore e shtetit dhe e marrëdhënieve politike midis mazhorancës e opozitës.

Rama mund ta zgjedhë e ta uzurpojë me votat e tij insititucionin e fundit të pa rënë në duart e tij, por ai s’mund të ketë mbështetjen e opozitës as dhe t’i shmanget kundërshtisë politike në opinion nga opozita, nëpërmjet gjoja “axhendave parlamentare”. Askush nuk ka të drejtë të parapërcaktojë individualisht, pavarësisht pozicionit, mënyrat dhe rrugët e reagimit të Partisë Demokratike.

Çdo vendimarrje duhet të jetë kolegjiale. Së pari ajo i nështrohet diskutimit në Kryesinë e Grupit parlamentar. Çdo qëndrim apo deklaratë jashtë kësaj vemdimmarrje, është krejtësisht individuale dhe si e tillë e pa vlerë”, shkroi Boçi.

Zgjedhjet presidenciale në vendin tonë kanë sjellë një betejë tjetër mes grupimeve opozitare, ku gjatë një dalje publike një natë më parë, Berisha i shqetësuar tha se “Lulzim Basha ka thënë se do të jetë kandidat për president”.

Edhe nëse nuk është Basha, si kandidat, emri i ardhshëm i presidentit mund të kalojë përmes votave të grupit të tij.

Top Channel