“Braçe zinte kokën me grushte. Heronjtë ikin, nafaka mbetet”/ Satira e Gjekmarkajt për Territorialen: Bela po i linte në suspancë…

09/10/2026 19:00

Nga Agron Gjekmarkaj

Kronika si dëshmitare e vullnetit të Zotit dhe e hallit të Robit!

Kronika sot nuk do t’i bëhej havale miletit, nëse nuk do të gjenim Kostaqin tek çirrte lëkurën e kokës, përgjatë, ulur në “shkallaret e seancës”, tek qante me kokërr loti, me aq butësi e intensitet si askush më parë!!

U afruam të ndrojtur e pyetëm plot angështi, çka ngjarë, ç’ “zezonë na ka goditur, ç’qamet po vjen?!” Ai bënte një shenjë të mbytur me dorë, pa maraz, që lermëni, “mos më ngani!”

Evis Kushi, dukshëm e tronditur, i rrinte hazër me një gotë ujë, po mezallah se e pinte. Helm më mirë, ofshante! E shkreta Evis, s’dinte nga t’ia mbante. Ka axhelera ky post i ri, mejtonte.

Madje ajo kishte me vete edhe Edona Bilalin, e cila i lutej, aman, mblidhe veten, tregona a mos po na sulmon shkjau në kufijtë veriorë e me zë lufta në Tiranë, se atje pastaj shkon Ditmari në front para meje?! I lë ambasadat dhe rrëmben maliherin si tani kundër Babos.

Ai nuk na e shoi menjëherë kureshtinë se qau dhe pak ashtu vënçe dhe mes ofshamave tha, e patë e patë? Në meit, askush nuk merrte frymë!

Babo qenkësh i përzgjedhuri, ai flet me Zotin, çfarë modestie… ka një jetë që e mban fshehur, ai nuk është vetëm njeri, por edhe luan. Sot ia tha Botës me një video, ndaj pa e kuptuar, ne e paskemi veneruar, ashtu siç i ka hije Hyut, qëllimi i jetës u përmbush aleluja, janë lot shelbimi, gëzimi e përndritjeje!

Dlirej shpirti i Kostaqit. Edhe Nikollaqit do t’i kishte kulluar xhani, po ta shihte aty si një shenjtor pa kishë ku të falej. Eh Nikollaq, Nikollaq edhe butësia e Etildes u tejkalua.

Gaz Bardhi me Klevis Ballinë gjetshin ferrin që gjuajtën me vezë, shishe e me fjalë soj e sorollop, punë e madhe se fshiu 15 Bashki, po shyqyr se grupi i PD-së nuk i ndoqi dhe i la të vetmuar në blasfemi, e ç’janë ato gjepura janë, për oreksin e tij, i prishet qejfi për pakogjë, yt ju plaçin sytë ju plaçin? Ç’janë 15 kodoshë e kodoshka që vikan në diskutim reformatorin e madh Maznikun e parë. Ç’qe Frederiku i Prusisë para Arbjan qafirit?

U mpimë të gjendur mes brishtësisë së njeriut dhe madhështisë së Perëndisë!

Mendja dhe kujtimet na kthyen tek gjithçka ndodhi dje, tek gjërat e tokës, se me këto të qiellit u lamë sot! Na u kujtua Erjon Braçe që zinte kokën me grushta mes dëshirës që të bëhej hero dhe nevojës për të mbetur njeri! Heronjtë ikin, nafaka mbetet.

Tek kaloi aty pranë Neta, dyfeku psherëtiu: “O Balo, të hëngërt tënja, e ke të keqen përbrenda”!

Vullnet Sina humbi vullnetin për të luftuar, i yshtur nga paqja, se i gjalli ka selametin, rrinte si një kokorosh i madhëngjyrë nga faji!

Albana, shkrimtarja e dashur e partisë sonë, autorja e tre librave zgjedhorë me plot subjekte për të ardhmen, ishte kthyer nga një mërgim as i gjatë, as i shkurtër, na përshëndeti pa ngrohtësi entuziaste, por edhe pa ftohtësi mbresëlënëse!

Enno Bozdo kishte një solemnitet të qashtër përgjatë gjithë ditës, e thyente atë vetëm për të mekuar me dashamirësi dhe hov Ivi Kason, serioziteti i të cilit përgënjeshtron çdo interpretim. Jorushi i Tabakëve, pasi kishte thithur gjithë nektarin e elegancës në të veshur, ia bëri bam edhe në të folur, aqesa i sollëm një lëng boronice që t’i njomte gjuha e të vazhdonte sulmin. E piu me shije pa ndonjë mirënjohje të madhe.

Sypetrit Malaj kishte gjetur krenarinë e humbur, qerratai, se kur Ina Zhupa po llafosej ëmbël me Sofjan lozonjarin, ai tha: na u drejtoni me zoti Ministër se jam koxha burra, yndyrë e vatanit, meze e politikës, nur i qeverisë! Ina e dëgjoi dhe, ashtu me gojën brisk, që mos bëftë hajër, e trondit djalin kur iu përvesh: ty do të thërras zoti pordhac, more teveqel pazari, se ke qelbur dynjanë me dengla nga para e nga pas, dashke ti të të drejtohem me zoti Ministër!

Delina Ibrahimi vetvetiu zuri hundët me dorë!! Shihte Enea Laraskën, Sofkën e Sypetrinë e lëshonte një ehhh! Sikur thoshte burra me r të vogël.

Arkend Balla, duke përfituar nga një rastësi, kërkoi të fuste pakëz kokën në “kronikë” si një personazh modest i saj, pa madhështinë e bëmat e Termesë, ia dhamë një shans me kushtin që mos të sillej si grami me vreshtin!

Ish-Buçkoja, tanimë i shndërruar në atlet, pranoi të identifikohej, madje shprehu dëshirën që të thirrej me emrin Adi Qose! Pyetëm Ogin! Ajo tha: prishur mos qoftë! Kjo do të jetë një ditë e shënuar për të, si të humbësh virgjërinë, si të hysh në kronikë me emër të përveçëm.

Edhe ministri i Bujqësisë, Rifat Salla, na futi mik Sarën, e cila, për nga marifeti, nuk ka shoqe, që ta përmendim me emër për të dekurajuar Gledian Llatjen në garën për Elbasanin!

Meqenëse dita qe e gjatë, Autori i Kronikës takoi mjaft nga personazhet e veta! Në një sallë gjeti dhe Dilon që kishte hequr këpucët dhe u bënte fresk me një dosje këmbëve të djersitura! Tezja dje rrinte e menduar! E ka një brengë, thonë. Demir Demo kërkonte respektin që nuk po i mbërrinte.

Tao sillej si qehaja! E ka lëshuar gojën goxha qëkur i ngjit prapë në kalë. S’ka faj se ca kohë gjithë vegjëlia desh i vuri këmbën. Tao vonon, po nuk harron. Nashi u rri rëndë.

Merrte e jepte me tel sepse Bela po i linte në suspancë të prisnin si të ishin kone: jo, vi, jo, nuk vi, kur ia behu, u ndriti balli! Ishte hequr ca viranjë. Ata të Fierit ishin gati të binin theror! Kidi i bënte shenja të forta Gaz Bardhit për prerje e ndukje e shumë gjëra të llahtarshme. Ramoni shtonte rixhatë që t’i njihej ndonjë meritë.

Klosi u bë mburojë me trup që mos t’i binte uji që vinte nga ana tjetër, se thonë për mua që jam qullc, he, më gjuani. Jo ujë, po edhe ……. nuk do t’i shmangem.

Ervin Hoxhën e shihnin me dyshim mos u bën prroçkë me votimin, Klosi donte t’i binte në sy Taos si besnik dhe këshillonte Ervinin mos të marrë koka erë: voto me mend, jo me zemrën e Mamices, e cila hedh gurin te këmbët e Babos dhe fsheh dorën pas Kronikës! Bora kishte një përtese intelektuale për të folur gjatë! Ndiente mall për Pandi Majkon që shumë e pat këshilluar si të bënte prokopi. Zeniqeja shikonte ëmbël Ermal Pacajn, ndërsa Ulesia zgërdhihej si faraon. Briseida Bakerri i gëzohej momentit sepse Tao i kishte lënë detyrë të deshifronte shikimet dhe psherëtimat e kolegëve para votimit!

23 tre deputetë të panjohur dhe anonimë prisnin me ankth t’u ngarkohej një detyrë! Ceno Klosi ishte depiluar për festën e Reformës ashiku.

Toni meditonte nëse molla e Adamit nuk do të kafshohej, a do t’i vinte dita edhe një zullapi si Gonxhe të bëhej ministër? Ku është Le Festim de Gozha, dëgjohej një zhaurimë!

Top Channel