Politika monetare shtrënguese e Bankës së Shqipërisë me dyfishim të normës bazë të interesit ka dhënë efektet e para në kursin e këmbimit duke forcuar lehtë lekun.

Sipas Bankës së Shqipërisë monedha vendase është mbiçmuar me gati 1.3 lekë në raport me euron që prej marrjes së këtij vendimi, duke bërë që monedha europiane të zbresë në 121.5 lekë të premten.

Por, ekspertet thonë se duhet kohë që efektet e politikës të materializohen plotësisht.

 “Vendimet e politikës monetare nuk transmetohen nga sot për nesër, kërkojnë të paktën disa muaj deri në një vit, një vit e gjysmë. Ndikim do ketë forcimi i lekut në raport me personat, institucionet që kanë kredi në euro dhe të ardhurat në lekë dhe blejnë çdo muaj euro për shlyerje e saj dhe një forcim i lekut e bën më të lehtë.”

Civili tregon kush janë humbësit dhe fituesit e një leku të fortë.

“Kjo rritje e normës bazë pritet të japë ndikim edhe në rritjen e interesit për depozitat, nga ana tjetër mund të ndikojë në rritjen e normave të interesit për kreditë. Forcimi i lekut  ndihmon edhe një pjesë të bizneseve që eksportojnë por që shpenzimet kryesore të tyre i kanë në lekë.”

Monedha europiane u mbiçmua ndjeshëm në fillim të marsit duke prekur nivelin më të lartë këtë vit në 127 lekë, por ra serish ne ditët qe pasuan. Këto lëvizje shpjegojnë ekspertet lidhet kryesisht me pasiguritë e krizës.

“Rritja e menjëhershme e euros para disa javësh ishte më tepër reflektimi i një çoroditje totale të tregut përfshi këtu edhe tregun monetar, të ndikuara edhe nga shumë lajme. Rikthimi në trendet historike më të stabilizuara të euros është rezultat i reflektimit edhe të bizneseve dhe shumë aktorëve të tregut për ta parë më në vazhdimësi situatën ekonomike, tregtare.”

Rritja e normës bazë të interesit nga 0.5% në 1% pas gati më shumë se një dekade, nga banka qendrore, synon të frenojë rritjen e fortë të çmimeve në vend që po mbajnë prej muajsh nivelin e inflacionit mbi objektivin e bankës qendrore, sipas të cilës edhe në vijim pritet të luhatet rreth nivelit 5%./E.Kola/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA