Nuk ka fitues në Kukësi-Tirana/ Egnatia fiton sfidën për mbijetesë ndaj Dinamos

02/04/2022 21:27

Java përmbyllëse e fazës së tretë të Abissnet Superiores nisi me supersfidën mes Kukësit dhe Tiranës të luajtur në Egnatia Arena në Rrogozhinë.

Ishte një ndeshje që  në fund nuk regjistroi fitues pasi rezultati mes dy ekipeve ishte 0-0 me Kukësin dhe Tiranën që u detyruan të kënaqen me vetëm 1 pikë.

Si Kukësi ashtu edhe Tirana patën shanset e tyre në këtë përballje edhe pse nuk ishin të shumta, por pa mundur t’i konkretizojnë. në pjesën e parë mund të përmenden rasti i Tolit për Tiranën dhe Gjelbrim Taipin për Kukësin.

Pas pushimit të ndeshjes ishin bardheblutë që dhanë sinjalin e parë me Ismajlgecin, por u ndal nga Çollari.

Rastin më të mirë në këtë fraksion e pati pikërisht Kukësi, sërish me Gjelbrim Taipin që u ndal nga Bekaj dhe shtylla. Tentoi të bëjë diçka edhe Seferi, por pa sukses dhe në fund rezultati mbeti 0-0 me Tiranën që vazhdon të jetë e qetë në krye të klasifikimit me 60 pikë, me 14 pikë më shumë se Laçi për momentin, ndërsa Kukësi mbetet me 44 pikë.

Egnatia fiton ndaj Dinamos në Elbasan Arena në ndeshjen direkt për mbijetesë në kampionat. Skuadra rrogozhinase i mbylli 90 minutat e kësaj ndeshjeje me rezultatin 2-0 duke marrë 3 pikë shumë të çmuara, ndërkohë që Dinamo zhytet akoma më shumë në krizë teksa rritet rreziku i rënies nga kategoria. Egnatia shënoi që në minutën e 28 me Pedro Auguston, por goli u anulua nga VAR për një faull të tij.

Megjithatë Egnatia arriti të gjejë gol të rregullt në fundin e pesës së parë me Ademin. Dinamo në pjesën e dytë u pa më kërkuese për golin e barazimit, por ishte Egnatia ajo që shënoi në minutën e 90 me Pedro Auguston për të vulosur fitoren 2-0 të Egnatias që shkon në 27 pikë në vendin e 8, ndërsa Dinamo është e parafundit me 23 pikë.

Top Channel