Eriksen me shokë tronditin Chelsea-n, Broja sërish “thatë”, Man. City rimerr kreun

02/04/2022 19:03

Pas 5 fitoreve radhazi, Chelsea merr një goditje të rëndë brenda në “Stamford Bridge”, aty ku u mposht me përmbysje, me rezultatin e thellë 1-4 nga Brentfordi i udhëhequr nga Christian Eriksen.

Trajneri Thomas Tuchel kishte ndryshuar skemën, duke përdorur atë 4-3-3, megjithatë kjo zgjedhje nuk i rezultoi aspak e mirë, pasi i kushtoi një humbje të thellë, pikërisht para syve të tifozëve londinezë.

Pas një pjese të parë pa gola, ishte Rudiger që shënoi në fillim të pjesës së dytë dhe i dha avantazhin Chelsea-t, por vetëm për dy minuta, pasi gjermani Janelt riktheu baraspeshën në të 50-ën.

Katër minuta më vonë ishte Christian Eriksen që dërgoi topin në rrjetën e portës së Chelsea-t dhe i dha avantazhin Brentfordit, ndërsa më pas Janelt dhe Wissa vulosën fitoren për miqtë, që i largohen njëherë e mirë fundit dhe janë shumë pranë sigurimit të mbijetesës edhe matematikisht.

Manchester City i përgjigjet me “të njëjtën monedhë” Liverpoolit, pasi ia del të triumfojë me rezultatin 0-2 ndaj Burnley-t dhe të rimarrë kreun e renditjes. ‘Citizens” zgjidhën gjithçka në pjesën e parë me golat e De Bruyne dhe Gundogan, ndërsa më pas menaxhuan mirë ndeshjen, për t’u larguar me tre pikë.

Armando Broja luan një tjetër ndeshje si titullar për Southampton, por as këtë herë nuk ia del të dërgojë topin në rrjetë, në transfertën ndaj Leeds United, të cilës i ka shënuar edhe golin e parë të tij në Premier League.

Sulmuesi shqiptar qëndroi në fushë për 90-minuta, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë dhe duke u treguar aktiv tërë kohës, por nuk ia doli të dërgojë topin në rrjetë, ndërsa Southampton mori një pikë falë barazimit 1-1.

Në sfidat e tjera, Wolves triumfoi me shifrat 2-1 ndaj Aston Villës, ndërsa Brighton dhe Norwich ndanë pikët falë barazimit pa gola./Super Sport

Top Channel