Ukraina ‘nuk mohon’ sulmin me helikopter ndaj depove të karburantit brenda Rusisë (fotot)

01/04/2022 17:29

Rusia akuzonte sot Ukrainën për një sulm me helikopterë përtej kufirit të saj për të hedhur në erë një impjant magazinimi karburanti brenda territorit të saj, që do të ishte sulmi i parë i këtij lloji nëse lajmi konfirmohet.

Ndërkohë Ukraina as nuk ka mohuar as nuk ka konfirmuar se është autore e sulmit.

Guvernatori i qytetit kufitar rus të Belgorod tha sot se dy helikopterë të ushtrisë së Ukrainës Mi-24 kaluan kufirin në lartësi të ulët dhe lëshuan raketat e tyre ndaj depove të karburantit, rreth 30 km larg kufirit.

Ministri i mbrojtjes së Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se nuk mund të konfirmonte dhe as të mohonte pasi nuk i kishte informacione të tilla ushtarake, sipas agjencisë Reuters.

Ndërsa ministria ukrainase e mbrojtjes nuk i përgjigjej thirrjeve për komente.

Disa komentatorë ukrainas thonin se shpërthimet mund të kenë ardhur si rezultat i “neglizhencës së autoriteteve ruse” apo një “sulm i inskenuar” për të justifikuar të tjera mobilizime ose dështime të negocjatave.

Raportimet për “sulme të rreme” të dy palëve të konfliktit për të hedhur fajin te kundështari, kanë qenë të shumta në konfliktin 5-javor.

Sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se vërtet sulme të tilla dëmtojnë negocjatat e paqes, por nuk foli për kundërpërgjigje të mundshme.

“Ajo që ndodhi sigurisht që nuk mund të perceptohet si diçka e favorshme për vazhdimin e negocjatave,” tha Peskov.

Video të postuara në mediat sociale tregonin sulmet e helikopterëve ndaj impjantit me dy raketa ajër-tokë, dhe më pas zjarrin pas shpërthimit të tyre në impjantin e Belgorod, flakët e të cilit arrinin disa dhjetra metra lart në ajër.

Raportimet thonin se impjanti vazhdonte të digjej deri mesditën e sotme teksa dhjetra zjarrfikës punonin për të shuar flakët.

“Zjarri në depot erdhi prej sulmit të dy helikopterëve të ushtrisë së Ukrainës që hynë në territorin rus në lartësi të ulët. Nuk kishte viktima nga sulmi”, tha guvernatori Vyacheslav Gladkov.

Deri tani nuk kishte pasur të tjera incidente në Belgorod, qyteti që ka shërbyer si një qendër e njësive ushtarake ruse të përfshira në konfliktin në Ukrainë. //BBC//

FOTO GALERI
1/3
Guvernatori i qytetit kufitar rus të Belgorod tha sot se dy helikopterë të ushtrisë së Ukrainës Mi-24 kaluan kufirin në lartësi të ulët dhe lëshuan raketat e tyre ndaj depove

Top Channel