Policia zbatoi urdhër arrestet e zyrtarëve të akuzuar nga SPAK në dosjen e inceneratorëve vetëm pjesërisht.
Pëllumb Abeshi ka hyrë me pranga në duar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Por policisë i mungon një nga ‘peshqit e mëdhenj’.
Alqi Bllako, deputeti socialist nuk është ende në prangat e policisë. Urdhri për arrestimin e tij nuk është zbatuar edhe pse që në mesditën e së enjtes Gjykata Speciale Anti- Korrupsion miratoi kërkesën e SPAK.
Ndërsa kuvendi kishte konfirmuar se Alqi Bllako nuk ishte më deputet socialist dhe nuk kishte më imunitet.
Bllako me anë të një statusi në Facebook njoftoi dorëheqjen si deputet dhe përballjen me drejtësinë pa imunitet. Mëngjesin e kësaj të enjteje të gjithë pritën shumë gjatë në dyert e Policisë së Tiranës, por Alqi Bllako nuk u vetëdorëzua.
Më pas u lajmërua se ai kishte treguar vendndodhjen dhe policia do ta merrte. Por deri vonë në mbrëmje Alqi Bllako nuk ishte arrestuar.
Ish-deputeti socialist akuzohet se në kohen kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit ka shpërdoruar detyrën duke falsifikuar së bashku me ministrin Lefter Koka dokumentet zyrtare të shpronësimit të tokës në Fier ku do ndërtohej inceneratori i Fierit.
Ikja e tij mbushet me mister, pasi ikja nga drejtësia tregon se ai ka gjëra për të thënë dhe mund t’i thotë ato nga arratia.
Top Channel