Mbajtëse të gurta misterioze të riteve të lashta mortore zbulohen në Indi (fotot)

31/03/2022 17:41

Studiuesit kanë zbuluar ato që quanin “kavanozë misteriozë” në Indi, që mund të jenë përdorur për praktika të lashta varrimesh njerëzore.

65 vendvarrime të tilla të lashta u gjetën në nje vendndodhje në verilindje të shtetit indian të Assam.

Ato ndryshojnë në formë e përmasa. Disa nga kavanozët janë të lartë e cilindrikë, ndërsa të tjerë ishin pjesërisht ose plotësisht të varrosur në tokë.

Enë të tilla të gurta ishin gjetur më parë në  Laos e Indonezi.

Zbulimet u bënë nga studiuesit e tre universiteteve në Indi e Australi, detajet e të cilit u publikuan në revistën Journal of Asian Archaeology kësaj jave. Studimi drejtohej nga Tilok Thakuria i universitetit North-Eastern Hill dhe indiani Uttam Bathari nga Universiteti Gauhati.

“Ne ende nuk e dimë kush i ka ndërtuar kavanozët dhe si jetonin ata. Është ende një mister”, thotë studiuesi australian Nicholas Skopal, pjesë e grupit.

Megjithse nuk është e qartë se për çfarë përdoreshin kavanozët gjigantë, studiuesit besojnë se ka të bëjë “me praktikat e ritualeve mortore”.

“Ka disa histori në popujt Naga (një grup etnik nga India verilindore) se kanë gjetur kavanozët e Assam të mbushur me mbetje të kremuara njerëzore , zbukurime e artefakte,” tha Skopal.

Dr Thakuria tha për rrjetin BBC se “aktualisht kavanozët janë të zbrazur”, dhe se më parë me shumë gjasa ato kanë pasur mbulesa.

“Hapi i ardhshëm i projektit është nisja e gërmimeve dhe dokumentimi i detajeve të kavanozëve”, tha Dr Thakuria.

Studiuesit thanë se ka rreth 10 vendndodhje me kavanozë të tillë vetëm në Assam dhe shtonin se objektet datojnë të paktën prej vitit 400 p.e.s.

Ata thanë se kanë kërkuar dhe ka shumë mundësi të ketë të tjera objekte te tilla ne Assam.

Kavanozët e ngjashëm në Laos ishin zbuluar në vitin 2016. Studiuesit thonë se ato shërbenin per tre tipe të ndryshme varrimesh: 1) kocka të vendosura në gropa me blloqe të mëdha guri sipër, kocka të vendosura në enë qeramike, dhe ato me një trup të vetëm në varr.

“Masa dhe struktura e kavanozëve misteriozë të gjetur në Assam e Laos janë shumë të ngjashme. Ka disa ndryshime në formë dhe masë. Ata në Assam janë më të trashë kurse ato në Laos janë më cilindrikë,” shtoi Skopal.

FOTO GALERI
2/7
Ato ndryshojnë në formë e përmasa. Disa nga kavanozët janë të lartë e cilindrikë, ndërsa të tjerë ishin pjesërisht ose plotësisht të varrosur në tokë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA