Gjobitet britaniku që i dërgoi fqinjit pastë dhëmbësh në postë ‘sepse i vinte erë goja’ (fotot)

30/03/2022 18:22

Një kopshtar që i vendosi fqinjit të tij pastë dhëmbësh në kutinë e postës është urdhëruar të paguajë 250 paundë kompensim nga një gjykatë në Britani.

37 vjeçari Steven Wright kishte debatuar ashpër disa herë me fqinjin e tij Colin Jones për hapësirat e parkimit në qytezën e Handforth, në Britaninë qendrore, pak pasi Jones u vendos në shtëpinë e re në vitin 2019.

Ai akuzohet gjithashtu se ka lëvizur koshin familjar të mbeturinave të Jones duke bërë që të mos zbrazej nga shërbimet, si dhe se “ka përdorur makinën larëse natën për të bërë zhurmë”.

Jones është larguar tashmë nga banesa por ka raportuar fqinjin në polici me argumentimin: “Këto çështje më kanë shkaktuar shumë ankth dhe stres. Si rezultat i sjelljes së tij më ka ndryshuar cilësia e jetës”.

Wright pranoi akuzat e ngacmimeve në gjykatën e Crewe e cila e dënoi me një urdhër ndalimi të kontakteve me viktimën për 12 muaj dhe me kompensim 250 paundë.

Në gjykatë u tha se incidentet kishin ndodhur nga tetori 2019 deri në prill 2021.

Prokurorja Nicole Bridgman tha në seancë: “Ankimuesi thotë se e parkonte makinën e tij në të njëjtin vend prej dy vjetësh por i akuzuari i kishte thënë me tone kërcënuese: ‘Mos të shoh më të parkosh këtu, nuk mund të parkosh këtu”.

“Në një tjetër rast kur ankimuesi i kërkoi të akuzuarit të largonte mbeturinat nga rruga e kalimit ai shtyu materialet e ndërtimit në mes të rrugës për t’i bllokuar kalimin”.

“Ai beson se i akuzuari ka dëmtuar makinën e familjes së fqinjit dhe në një rast i ka afruar grushtin e mbledhur te mjekra. Ditën tjetër i akuzuari kishte vendosur pastë dhe furçë dhëmbësh në kutinë e postës së ankimuesit, për ta tallur akoma më shumë”.

Fqinji “i dëmtuar” më pas kishte instaluar kamera sigurie të cilat më pas i akuzuari kishte mbuluar me një material plastik. Fqinjit i kishte kushtuar 500 paundë riparimi i tyre”.

“Kishte gjithashtu dëme të gardhi ndarës dhe i akuzuari e kishte thirrur rivalin e tij me fjalë ofenduese”.

Avokati mbrojtës Sam Fixster tha: “Dëmi i makinës nga i akuzuari është vetëm një supozim. Ai nuk e di se kush e ka bërë dhe megjithë respektin, zona është e tillë që këto gjëra ndodhin. I akuzuari madje kishte lëvizur koshin e mbeturinave në një zonë të veçantë të lëndinës”.

“Këto gjëra kanë ndodhur më parë dhe ai nuk ka pasur më probleme. Ai është kopshtar profesionist dhe i ndihmon fqinjët për mirëmbajtjen e zonës, kështu që duket se ngjarja ishte vetëm një … ‘përplasje’ karakteresh”, tha avokati.

Wright u rudhërua të paguajë gjithashtu 284 paundë kosto ligjore.

FOTO GALERI
2/3
37 vjeçari Steven Wright kishte debatuar ashpër disa herë me fqinjin e tij Colin Jones

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA