Ukraina do të hetojë videot makabre të vrasjeve e abuzimeve të robërve rusë të luftës (fotot)

28/03/2022 19:03

Ukraina është zotuar të hetojë pamje të rënda të publikuara ku besohet se shihen abuzime të tmerrshme të të burgosurve rusë të luftës, mes të cilave disa shihen që qëllohen me armë në këmbë.

“Qeveria po i merr seriozisht pretendimet, dhe do të ketë një hetim të shpejtë,” tha dje këshilltari presidencial Oleksiy Arestovych, raportonte e përditshmja amerikane Washington Examiner .

“Ne jemi një ushtri evropiane, nuk abuzojmë me të burgosurit. Nëse kjo rezulton të jetë e vërtetë është një sjellje absolutisht e papranueshme,” tha këshilltari i presidentit Volodymyr Zelensky.

Në një prej videove shiheshin ushtarë ukrainas që zbrisnin nga një kamion tre ushtarë rusë, pak para se të burgosurit të qëlloheshin me plumba në këmbë.

Në një tjetër, fytyra të përgjakura të të burgosurve shihen pasi atyre u hiqen kapuçët.

Autenticiteti i pamjeve të rënda nuk është verifikuar ende në mënyrë të pavarur dhe nuk dihet vendi ku janë xhiruar ato, por shumë episode dhune ekstreme janë përhapur në rrjet që kanë shokuar publikun në mbarë botën.

“Dua t’i kujtoj ushtrisë tonë, civilëve dhe forcave të mbrojtjes se abuzimi i të burgosurve është krim lufte dhe për këtë ligji ushtarak nuk ka amnisti”, tha Arestovych.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se do të nisin hetimet për videot ku tregohen të burgosur lufte që abuzohen apo ekzekutohen.

Por më herët komandanti ushtarak ukrainas Valerii Zaluzhnyi akuzonte Rusinë se kishte inskenuar videot dhe nxiti publikun të besonte vetëm burimet zyrtare.

Disa video tregonin ushtarë të kapur rusë të përgjakur e të maskuar.

Raportimet thonin se rusët në pamje ishin pjesë e një grupi zbulimi të ushtrisë në rajonin e Kharkiv.

Dje Rusia dënoi brutalitetin e përçuar nga pamjet.

“Pamje të shpërndara në internet tregojnë të burgosurit që trajtohen me mizori ekstreme nga nacionalistët ukrainas. Video online tregon ushtarë të kapur rusë që qëllohen në të dyja këmbët pa u dhënë asistencë mjekësore”, tha A.I. Bastrykin, kreu i komisionit hetues te federatës ruse.

FOTO GALERI
3/5
“Qeveria po i merr seriozisht pretendimet, dhe do të ketë një hetim të shpejtë,” tha dje këshilltari presidencial Oleksiy Arestovych

Top Channel