SHBA, mediat: Hunter Biden siguroi fondet për bio-laboratoret amerikane në Ukrainë (fotot)

26/03/2022 18:03

Mediat konservatore amerikane shkruanin sot se pretendimi i Rusisë se i biri i presidentit aktual Joe Biden, Hunter, “financonte . … laboratoret biologjikë në Ukrainë” bazohet në fakte të vërteta, shkruante e përditshmja njujorkeze The Post, pas analizimit të e-mail-eve.

Zhvillimet vijnë nga të dhënat e laptopit famëkeq të Hunter Biden — ekzistenca e të cilit është pranuar vetëm kohët e fundit nga autoritetet edhe pse është raportuar prej fundit të vitit 2020. Dokumentet  thonin se Hunter ka ndihmuar një nën-kontraktor të mbrojtjes nga Kalifornia për të analizuar sëmundje vrasëse dhe armë biologjike në Ukrainë.

Më herët gjatë ofensivës së pushtimit të Ukrainës, Moska ka thënë se laboratoret sekrete amerikanë në Ukrainë ishin një nga justifikimet për pushtimin e saj të vendit fqinj.

Së fundmi rusët kanë përforcuar pretendimet duke thënë se biolaboratoret prodhonin armë me miratimin e familjes Biden.

Mediat ruse kanë thënë: “Presidenti amerikan Joe Biden është vetë i përfshirë në krijimin e biolaboratoreve në Ukrainë,” duke cituar fjalët e kryetarit të Dumës ruse Vyacheslav Volodin.

Ai shtonte më tej: “ Biden ka financuar kërkimet e programit amerikan të armëve biologjike. Një fond investimi i drejtuar nga djali i tij Hunter Biden financonte dhe zbatonte kërkimet e programit ushtarak biologjik. Prandaj Joe Biden, si babai i tij dhe si kryetar i shtetit, ishte në dijeni të aktivitetit”. Volodin më tej kërkonte shpjegime nga Shtëpia e Bardhë.

Më herët inteligjenca e SHBA kishte refuzuar mesazhet e Rusisë duke i quajtur propagandë lufte, duke thënë se programi i bio-laboratorëve në Ukrainë dedikuar kërkimit të patogjenëve nuk ishte sekret dhe se financohej publikisht nga Uashingtoni.

Por pretendimet e reja për të birin e presidentit rezultuan të sakta, sipas e-mail-eve për biznesin e Hunter Biden në Ukrainë, që u raportuan dje dhe nga britanikja Daily Mail.

Grupi Rosemont Seneca Technology ka investuar $500,000 në kompaninë Metabiota nga San Francisco, për kërkimet mbi patogjenët dhe ka marre miliona nga grupe si Goldman Sachs, thuhet në e-mail-et e laptopit famekeq të Hunter, i cili ishte braktisur në një dyqan riparimi kompjuterësh në Delaware në prill 2019, nga ku dolen te dhenat.

Të zotët e dyqanit vërejtën informacionet skandaloze në aparat dhe dorëzuan nje kopje të hard-disc në kampin republikan, kur Joe Biden kandidoi si president.

Aty thuhet se Hunter prezantoi zyrtarët e Metabiota me ato të grupit energjitik ukrainas Burisma, ku ai vetë ishte anëtar bordi , për një “projekt shkencor” me bio-laboratore në Ukrainë.

Një mesazh nga Metabiota për të birin e asokohe zv.presidentit në 2014 thoshte se kompania “do të mbrojë pavarësinë kulturore e ekonomike të Ukrainës nga Rusia”.

Zv. kreu i Metabiota, Mary Guttieri i shkruante Hunter për probleme të mundshme gjeopolitike për një aventurë të tillë në një republikë ish-sovjetike:

“Siç premtova kam përgatitur një përshkrim nga Metabiota, për angazhimin tonë në Ukraine, dhe sesi mund të ndihmojmë grupin tonë, të zgjerojmë rrjetin, dhe për të imponuar  pavarësinë ekonomike e kulturore të Ukrainës nga Rusia, dhe integrimin e saj në shoqërinë perëndimore”, shkruan zv. shefja.

SHBA dha grantin $23.9 milionë për Metabiota në fund të 2014, nga të cilat $307,091 ndaheshin shprehimisht  për “projekte kërkimi në Ukrainë,” shkruajnë të dhënat publike në SHBA.

Prej vitit 2010 grupi i quajtur B&V ishte kontraktuar për të ndërtuar një laborator në Odessa, për “rritjen e sistemeve të survejimit, raportimit e reagimit për sulme bio-terroriste, epidemi ose pandemi”, thuhet në faqen e internetit të kompanisë.

Aktiviteti i Hunter Biden kishte rënë në sy të një ish-oficeri të CIAs.

“Babai i tij ishte zv.president i SHBA ndërsa Hunter anëtar bordi i një kompanie të dyshimtë gazi në Ukrainë e gjithashtu i lidhur me kërkime bio-ushtarake,” tha Sam Faddis për të përditshmen britanike Daily Mail.

“Sigurisht që Rusia mund të përfitojë nga një propagandë e tillë, por kjo nuk ndryshon faktin se këtu ka diçka që nuk shkon”, shton hetuesi.

“Çfarë kërkon Hunter Biden këtu? Përse ndërhyn këtu djali i papunë i zv. presidentit, që nuk ka ndonjë aftësi të deklaruar, përveç varësisë nga kokaina?”, shkruan Daily Mail.

52 vjeçari Hunter Biden, është duke u hatuar aktualisht për evazion fiskal në ndërmjetësime biznesi i lidhur me karrierën politike të të atit. Ai i mohon akuzat.

FOTO GALERI
2/5
Një mesazh nga Metabiota për të birin e asokohe zv.presidentit në 2014 thoshte se kompania “do të mbrojë pavarësinë kulturore e ekonomike të Ukrainës nga Rusia”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA