Dilaver Idrizi, 61 vjeç u arrestua dy ditë më parë për vrasje të mbetur në tentativë pasi hodhi gruan nga kati i tretë.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar fotografinë e tij teksa shfaqet kokëulur para trupës gjyqësore. Idrizi është në pritje të avokatit të shtetit pasi do të njihet me masën e sigurisë.
Dy ditë më parë, Top Channel solli detajet e ngjarjes së rëndë, ku gruaja e dhunuar, e cila u hodh nga kati i tretë nga njeriu me të cilin ajo po ndante jetën prej vitit 2009 rrëfeu:
“Ai mbylli dyer dhe dritare që mos të na dëgjonin komshinjtë, nisi të më qëllojë me rripin e pantallonave dhe më tha se nuk do dilja e gjallë nga shtëpia. I kërkova ujë pasi nuk po ndihesha mirë, por ai mori gotën me ujë dhe ma hodhi në fytyrë.”
Historia horror nis pas tetë marsit kur gruas i erdhën mesazhe urimi, duke shkaktuar xhelozinë e shfrenuar të bashkëjetuesit.
Numri ku erdhën mesazhet e urimit ishte i Idrizit , pasi gruaja nuk kishte telefon dhe e kishte lënë si kontakt në një shoqatë bamirësie për ndihma. Pikërisht kjo shoqatë i dërgoi urime për festën e gruas. Në datën 11 mars gruaja u mbajt në reanimacion në gjendje të rëndë dhe e monitoruar jo vetëm nga mjekët por edhe nga dhunuesi. Në një çast e mbetur vetëm ajo i rrëfeu së bijës se i shoqi i kërkoi të tregonte se po nderte rrobat në tel dhe se u rrëzua pa dashje.
Historia u bë publike nga e bija që tregoi se agresori i së ëmës i qëndronte pranë në spital me shpresën se kur të zgjohej ajo nuk do tregonte.
Vajza tregon se kur e pyeti të ëmën çfarë kishte ndodhur kishte ndërhyrë bashkëjetuesi i saj duke e urdhëruar, “mos e pyet se është e lodhur”.
Dyshuese, e bija ka tentuar të sigurojë privatësi me të ëmën, por Idrizi nuk e linte asnjëherë në prani të dikujt tjetër. Pak çaste kanë qenë ato kur gruaja i është rrëfyer për gjithçka ndodhi dhe po ndodhte në spital ku ajo kërcënohej, ndërsa shtoi “pasi më dhunoi e s’më dha ujë, aty kam humbur ndjenjat e s’mbaj mend asgjë”.
Momenti që gruaja s’mbante mend sipas policisë është ai kur ai e shtyu nga kati i tretë dhe më pas i pikëlluar tha: U rrëzua aksidentalisht.
Top Channel