Dy mësuese të vrara nga sulmi në shkollën suedeze në Malmo (fotot)

22/03/2022 17:18

Dy mësuese në të 50-at e tyre kanë humbur jetën në një sulm të dhunshëm dje në një shkollë në qytetin e Malmö, njfotoi policia suedeze.

Një nxënës 18-vjeçar i shkollës është arrestuar si i dyshuar për vrasje. Mediat vendase thanë se viktimat ishin goditur me thikë dhe se në sulm nuk ishin përdorur armë zjarri.

Dy gratë punonjëse të Shkollës latine të Malmö ishin dërguar në spital me ambulancë por kishin humbur jetën prej plagëve pas sulmit të pasdites.

Në konferencën e sotme të shtypit policia tha se i dyshuari ishte arrestuar 10 minuta pas dhënies së alarmit.

Oficerët kishin ardhur në shkollën ku nuk ishin raportuar më parë probleme, dhe në katin e tretë gjetën dy gratë e plagosura dhe të dyshuarin. Rrjeti vendas Aftonbladet raportonte se ai ishte gjetur në zotërim të një thikë e një sopate.

18-vjeçari nuk kishte precedentë penalë apo të sjelljeve të dyshimta, por policia është ende duke hetuar.

Zyrtarët janë ende duke hetuar për motivet e tij pasi deri tani nuk janë raportuar lidhje mes sulmuesit të dyshuar dhe dy viktimave.

Shefja e policisë së Malmö, Petra Stenkula tha se po kontrollohej shtëpia e të dyshuarit dhe se po intervistohen nxënës të tjerë për pamje të regjistruara që mund të ekzistojnë.

Ata po hetojnë gjithashtu raportimet e mediave se kishte qenë vetë sulmuesi që njoftoi policinë, duke pranuar vrasjen e dy grave.

Në kohën e incidentit rreth 50 njerëz, nxënës e mësues ishin në ndërtesë, policia ishte njoftuar në orën17:12 të hënën.

Mësuesit e nxënësit thanë se oficerët kishin ardhur në shkollë me armët e nxjerra dhe i urdhëruan të qëndrojnë të mbyllur në klasa për disa orë deri në sigurimin e territorit.

“Është diçka e tmerrshme,” tha drejtorja Fredrik Hemmensjö për rrjetin Aftonbladet .

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se kishte marrë lajmin me “trishtim dhe shtangje”.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA