Vëllezërit e vegjël gjenden mrekullisht pas katër javësh të humbur në pyjet e Amazonës (fotot)

18/03/2022 18:04

Dy të vëllezër të vegjël indigjenë janë shpëtuar pasi kishin humbur për katër javë në pyjet tropikale të Amazonës braziliane.

Glauco e Gleison Ferreira, gjashtë dhe tetë vjeç, kishin humbur teksa dolën për të zënë zogj të egër në xhunglën pranë Manicoré, në shtetin brazilian të Amazonave më 18 shkurt.

Një pemë-prerës vendas i gjeti ata rastësisht të martën.

Dy fëmijët pritet të rekuperohen pa probleme serioze teksa po trajtohen në spital për probleme nga kequshqyerja.

Ata kishin humbur në Amazonë gjatë sezonit të shirave, një kohë kur është e vështirë të lëvizësh, dhe nuk mund të gjendeshin megjithë kërkimet e banorëve.

Shërbimet e emergjencës kishin ndaluar kërkimet e tyre që prej 24 shkurtit por vendasit kishin vijuar përpjekjet e tyre, shkruan rrjeti vendas Amazônia Real.

Rreth katër javë më vonë djemtë u gjetën nga një burrë që priste pemë rreth 6 km larg fshatit Palmeira në rezervatin e mbrojtur Lago Capanã, ku djemtë jetojnë me prindërit e tyre, shkruan ‘Amazônia Real’.

Një prej tyre kishte thërritur për ndihmë kur dëgjuan burrin që godiste pemët, i cili i kishte gjetur ato në pyll, të dobët e të uritur, me shumë gërvishtje në trup.

Mediat lokale thonin se dy djemtë nuk kishin ngrënë asgjë gjatë kohës që kishin humbur, ndërsa kishin pirë ujë shiu.

Pas gjetjes Glauco e Gleison ishin dërguar në spitalin e Manicoré, para se të transportoheshin me helikopter në Manaus sipas rrjetit vendas Globo.

Kjo nuk është hera e parë që njerëzit humbasin në pyjet tropikale të Amazonës. Në janar piloti Antonio Sena kaloi 36 ditë në një prej zonave më të largëta të Amazonës braziliane pas rrëzimit të avionit të tij.

Ndërsa në 2008, Amazônia Real shkruan se një djalë 18-vjeçar nga popullsitë indigjene ishte i humbur për 50 ditë në një zonë të largët ku kishte shkuar për gjueti, dhe tragjikisht humbi jetën pak pasi u gjet nga banorët.

FOTO GALERI
3/4
Një pemë-prerës vendas i gjeti ata rastësisht të martën.

Top Channel