Putin mban fjalimin pro-luftë në stadiumin në Moskë, teksa ushtria bombardon perëndimin e Ukrainës (fotot)

18/03/2022 15:36

Presidenti rus Vladimir Putin ka mbajtur sot një fjalim në një stadium të mbushur me mijëra njerëz në mbrojtje të pushtimit të tij të Ukrainës ku mbështetësit valëvisnin flamurë me simbolin ushtarak ‘Z’ në arenën Luzhniki në Moskë.

Eventi pro-luftës që nga kritikët u krahasura me mitingjet e ish-presidentit amerikan Donald Trump, u mbajt për përvjetorin e tetë të përfshirjes së Krimesë në Rusi në 2014, shkruan britanikja Daily Mail.

Megjithse lideri fliste për suksesin e “operacionit special ushtarak” në Ukrainë, Rusia ka dërguar mijëra trupa në Ukrainë që prej 24 shkurtit me qëllim çmilitarizimin e fqinjit jugor dhe çrrënjosjen e grupeve që ajo quan nazistë e nacionalistë radikalë.

Por forcat e Ukrainës kanë mbajtur një rezistencë të fortë me ndihmën e vendeve perëndimore duke tentuar të detyrojnë tërheqjen e Rusisë.

Simboli i bardhë ‘Z’ është kthyer në një shenjë të nacionalizmit rus dhe është vendosur në shumë mjete ushtarake të Moskës.

Teksa lufta e ashpër vazhdon mijëra kilometra larg në Ukrainë, Putin krenohej për “fatin e përbashkët” të Rusisë e Krimesë dhe vlerësoi votën e banorëve të gadishullit për të qenë pjesë e Rusisë.

“Ne jemi të bashkuar në të njëjtin fat. Kështu mendonin njerëzit kur votuan në referendumin në Sevastopol”, tha ai për popullin e Rusisë e Krimesë.

“Sevastopoli bëri gjënë e duhur duke votuar për të largur neo-nazistët e radikalët, që kanë fituar dominimin në territore të tjera. Edhe njerëzit në  Donbass që nuk e pranonin këtë u organizuan ushtarakisht kundër tyre”, tha Putin në pretendimet e quajtura të rreme nga Perëndimi.

Putin lavdëroi trupat ruse që marrin pjesë në operacionin special duke thënë se po luftojnë për “mbrojtjen e vlerave universale ruse”.

Mes fjalimit të Putin dëgjoheshin turmat që brohorisnin ‘Rusia, Rusia, Rusia.’

Policia e Moskës tha se rreth 200,000 njerëz kishin ardhur në stadiumin Luzhniki për mitingun.

Eventi u mbajt pasi sulmet ajrore ruse goditën sot në mëngjes qytetin perëndior të Lviv duke iu afruar gjithnjë e më shumë kufijve të Polonisë që është anëtare e NATO-s.

FOTO GALERI
1/6
Presidenti rus Vladimir Putin ka mbajtur sot një fjalim në një stadium të mbushur me mijëra njerëz

Top Channel