Të tjera detaje kanë dalë nga arrestimi i këngëtares shqiptare Elsa Lila në Itali, e cila dyshohet si e përfshirë në një organizatë kriminale.
Për autoritetet italiane, Elsa Lila është njeriu i besuar i Arindi Boriçit, i njohur edhe si Rindi, shqiptarit që drejtonte organizatën bashkë me një italian tjetër.
Sipas Corriere, në Verën e vitit 2019 Elsa i ofroi Rindit shtëpinë e saj për t’iu fshehur policisë kur ai ishte në kërkim.
Media fqinje shkruan se këngëtarja 40-vjeçare ka rënë pre e përgjimeve, së bashku me anëtarët e tjerë të rrjetit.
“Shteti nuk vjen të më kontrollojë, më njohin, kam marrëdhënie të mira. Në një rast më vendosën një gjobë dhe më thanë të mos e paguaja sepse nuk do ta verifikonin. Sepse këtu është si në Shqipëri, të duhet një i njohur, kushdo që të jetë në qeveri të duhet të gjesh një mënyrë sepse edhe këtu njerëzit shiten”, është dëgjuar të thotë në një përgjim këngëtarja 40-vjeçare.
Elsa Lila u arrestua ditën e djeshme në Itali. Ajo dyshohet se mbante të gjitha financat e kësaj organizate kriminale të trafikut të drogës. Nga 13 urdhër-arreste, policia arrestoi 9 persona ndërsa të tjerët janë shpallur në kërkim.
Top Channel