Propagandisti i Putin kërkon ‘dëmshpërblim nga SHBA dhe kthim të Alaskës te Rusia’ pas sanksioneve për luftën (fotot)

16/03/2022 18:36

Këshilltari i Kremlinit i kërkon SHBA kthimin e Alaskës dhe pagesa dëmshpërblimesh pas sanksioneve të luftës së pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin.

Deputeti rus Oleg Matveicev, i cili flet shpesh për llogri të zyrtarëve të lartë rusë, bëri kërkesat e ekzagjeruara të dilën në një program të televizionit shtetëror rus, shkruan britanikja  Daily Mail.

“Ne duhet të kërkojmë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga lufta dhe nga vetë sanksionet, sepse këto kushtojnë para dhe ne duhet të marrim ato,” tha Matveicev, edhe pse ishte Rusia që nisi luftën.

Matveicev shtoi se kërkonte kthim të “të gjitha pronave ruse dhe të perëndorisë ruse, që janë sekuestruar në Shtetet e Bashkuara”.

Kjo sipas tij përfshin dhe territorin e Alaskës dhe Fort Ross në Kaliforni, kjo e fundit një zonë e vogël që dikur ka qenë pika më jugore e perandorisë ruse në Amerikën e veriut, e cila u shit në vitin 1841.

Alaska u shit te SHBA në vitin 1867 gjatë presidencës së Andrew Johnson për shumën $7.2 milionë – që me vlerën e sotme do të ishin $144.4 milionë.

Mes pronave ruse të Kremlinit Oleg Matveicev tha se kërkonte kthimin e Fort Ross, një qytezë në Sonoma të Kalifornisë.

Deputeti i Dumës tha se në kërkesat e tij përfshihej dhe Antarktika.

“Ne e zbuluam te paret, kështu që ajo na përket neve,” tha ai sipas Daily Mail.

Matveicev vijonte pretendimet e tij duke thënë se kërkonte gjithashtu kthimin e medaljeve që i janë hequr sportistëve rusë në olimpiada.

Ai shtoi se SHBA duhet të lejojë ekstradimin në Rusi të Grigory Rodchenkov, ish-kreu i entit anti-doping i cili ka pranuar se i ka dhënë stimulantë te ndaluar sportistëve.

Ndërkohë sanksionet e Perëndimit kanë dëmtuar rëndë Rusinë dhe pritet të rëndojnë në ekonominë e saj për vite me radhë.

Zhvillimi vjen teksa zyrtarët rusë dhe ata ukrainas ishin sot në një tjetër raund bisedimesh paqeje ne Bjellorusi.

Ndërsa në një tjetër përshkallëzim tensionesh mes Shtëpisë së Bardhë e Kremlinit, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi sanksione ndaj 11 zyrtarëve amerikanë duke përfshirë Presidentin Joe Biden, të birin Hunter Biden, dhe sekretaren e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

FOTO GALERI
3/5
Mali McKinley dhe liqeni Wonder ne tundrat e Alaskes

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA