Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar pas shqetësimit të qytetarëve për rritjen e menjëhershme të çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Autoriteti i Konkurrencës njofton se prej disa javësh ka vendosur tregun e karburanteve nën monitorim dhe që nga data 25 shkurt ka nisur hetimin në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë.

Në njoftim, theksohet se qëllimi Autoritetit të Konkurrencës është “mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, duke përcaktuar rregullat e sjelljes së ndërmarrjeve, si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e konkurrencës dhe përgjegjësitë e tyre” dhe se ky institucion nuk është projektuar ligjërisht për të luftuar çmimet abuzive në vetvete, kur këto çmime nuk janë pasojë e shfrytëzimit të pozitës dominuese në treg të një a më shumë ndërmarrjeve apo  marrëveshjeve të ndaluara.

Por, duke shkruar se nuk ka hapësirë ligjore, as burimet njerëzore dhe as ekspertizën përkatëse për të qenë edhe autoritet për rregullimin e çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës shkruan se disa nga kërkesat e qytetarëve duhet të adresohen pranë institucioneve të tjera publike, pasi “në respekt të instrumenteve që ligji na ka dhënë, për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës, të cilat duhet të jenë të bazuara në ligj e prova i japin efektet e tyre të shtrira në kohë”, thuhet më tej.

Çmimet e karburanteve vazhdojnë të thyejnë rekorde në vend. Këtë të enjte kanë arritur në 265 lekë/litri. Produktet e shportës po ashtu janë shtrenjtuar në tre muajt e fundit.

Këtë të enjte qytetarët në disa qytete kanë dalë në protestë. Nën moton as të majtë, as të djathtë, por popull, qytetarët kërkojnë nga qeveria uljen e taksave, subvencione dhe ngrirjen e çmimeve për produktet e shportës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA