Kreu i qeverisë, Edi Rama këtë të hënë njoftoi ngritjen e një Komiteti Special për të menaxhuar pasojat e luftës në Ukrainë në vend tonë dhe impaktin që do ketë në ekonominë shqiptare.
“Shumatorja e shpenzimeve të atyre që konsumojnë naftë është njësoj, krejt njësoj. Mjafton të merrni dhe të bëni përllogaritjet e taksave që paguajnë në vendet e tjera jashtë çmimit të naftës, e qarkullimit, e karbonit. Me një ndryshim në këtë rast në favor të atyre që konsumojnë më pak që paguajnë më pak, ndërkohë që në vende të tjera paguhet fiks, pavarësisht se sa konsumon. Nuk ka asnjë ndryshim tjetër. Dua ta theksoj shumë qartë dhe njëherë, çmimi i naftës nuk varet nga qeveria. Nuk është qeveria në tregun e lirë, në ekonominë e tregut që ul çmime apo ngre çmime të mallrave të konsumit, është tregu dhe natyrisht që tregu është shumë i ndjeshëm.
Europa ka hyrë në luftë, ushtarakisht lufta zhvillohet mes një agresori dhe një vendi nën agresion, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera, ku aspekti ekonomik është themelor, lufta zhvillohet mes të gjitha vendeve që refuzojnë agresionin dhe agresorin. Kjo do të thotë që të jemi të vetëdijshëm që në luftë nuk ka mundësi për të kërkuar të njëjtat gjëra që kërkonim para fillimit të luftës dhe se duhet të përgatitemi për çdo skenar. Askush nuk e di sa do zgjasë kjo luftë. Që do të thotë jemi në të njëjtat kushte të panjohurës si me pandeminë, kur nuk e dinim kohëzgjatjen, zhvillimet dhe dinamikën e tyre dhe kur u përgatitëm për disa skenarë. E njëjta gjë është sot. Përgatitemi për të njëjtin skenar. Kemi vendosur të ngremë Komitetin Special. Dhe jemi ulur që në ditën e parë të kësaj katastrofe për të përgatitur skenarët”, tha Rama.
Në Ukrainë po zhvillohet një luftë ushtarake, kurse në të gjithë Evropën një luftë ekonomike me pasojë rritje të çmimeve. Çmimi për një litër naftë preku shifrën 240 lekë për litër në vendin tonë.
Nafta dhe gazi arritën çmime rekord duke krijuar kaos jo vetëm në vendin tonë, por edhe në tregjet botërore të energjisë.
Analistët e tregut paralajmërojnë për luhatje të tjerë të reja mes rrezikut të problemeve të mëdha të furnizimit, sanksioneve dhe një vale të re të ftohti. Çmimet e larta të gazit kanë detyruar tashmë Ofgem të rrisë kufirin e çmimit që furnizuesit mund të vendosin, me një maksimum të ri të pritshëm prej 1,97 paund.
Rritja reflektoi një katërfishim të çmimeve të tregut të energjisë përpara se Rusia, furnizuesi i dytë më i madh i gazit në botë, të pushtonte Ukrainën, vend përmes të cilit kalojnë shumë prej tubacioneve të saj të gazit në Europë.
Çmimet janë rritur përsëri që nga shpërthimi i luftës, duke nxitur paralajmërime se kufiri i faturave mund të lëvizë ndjeshëm sërish. Rusia furnizon me gaz gati 40% të kontinentit të vjetër, e tregjet tani po mundohen shumë të vlerësojnë ndikimin e një ndërprerjeje të gazit rus qoftë për shkak të konfliktit, qofte prej sanksioneve të perëndimit.
Top Channel